Drejtuesi kuqezi ka vlerësuar modulin e përdorur nga trajneri brazilianKa qenë një Adriano Galiani i qeshur dhe krenar si në kohët e arta të “Djallit” ai që është paraqitur para gazetarëve pas triumfit të Milanit në shtëpinë e Realit të Madridit, që i ka siguruar kuqezinjve edhe vendin e parë në grup. Por tensioni ka qenë akoma i madh dhe numri dy i Milanit ka lëshuar një thumbim në lidhje direkte me një nga televizionet shtetërore të Italisë “Raiuno”, i bezdisur nga një koment i drejtuesit të emisionit, që e ka cilësuar fitoren e kuqezinjve një “fitore anormale”. “Na falni që kemi fituar”, ka thënë i acaruar Galiani, para se të largohej nga kamerat e RAI-t për t’u paraqitur para gazetarëve të tjerë, ku ka folur më gjatë për natën magjike të Madridit: “Kjo është absolutisht fitorja e trajnerit tonë, që ka patur guximin të paraqesë në “Bernabeu” tre sulmues plus Sedorfin
. Gjatë udhëtimit drejt Spanjës kam pyetur Leonardon: ‘ti ke thënë gjithmonë se modeli yt është Tele Santana’ (trajneri i Brazilit në botërorin e 1982-it). Ai më është përgjigjur: ‘Eshtë e vërtetë’. Më pas e kam pyetur: Si luante ai? Më ka thënë: ‘Me skemën 4-2-4′. Në këtë pikë i kam thënë: Atëherë luaj edhe ti në këtë mënyrë!”. Galiani e di mirë se tani Kievo mund të jetë më e rrezikshme se Galaktikët, dhe nuk e ka fshehur: “Më frikëson transferta në Veronë. Milani është edhe ky: mund Realin dhe më pas rrezikon të bëjë figurë të keqe me një të ashtuquajtur skuadër e vogël në kampionat. Ndonjëherë edhe heronjtë pushojnë. Kështu që duhet të ketë më shumë mirëkuptim të dielën, nëse nuk arrihet një fitore”. Në lidhje me Berluskonin. “Presidenti ka qenë në Rusi, nuk ka patur mundësi ta ndjekë ndeshjen. Atëherë i kam thënë që do ta mbaja të informuar në kohë reale me mesazhe nëpërmjet celularit. Ka qenë e lodhshme, por një gjë e bukur”.