23 tetor 2009

Lorik Cana, “kampion” kartonësh? “Nuk e ndryshoj stilin luftarak të lojës!”

Lorik Cana ka premtuar se nuk do ta ndryshojë stilin e tij luftarak të lojës, pavarësisht nga kërcënimi i pezullimit, për shkak të kartonëve të shumtë të verdhë që merr. Vetë trajneri i Sunderlandit, Stiv Brus, parashikoi se kjo verë ka sjellë një “hit” në klubin e tij, shqiptarin Lorik Cana, i cili, menjëherë ka pushtuar të gjitha “kornizat” kryesore, qoftë ato mediatike, qoftë zemrat e tifozëve. E ka bërë këtë në sajë të një loje me stil agresiv, duke vënë zemrën në fushë, gjë e cila nxiti sërish zërat e interesimit nga Arsenali, klubi i cili i ofroi atij një kontratë qysh kur ishte fare i ri. Në dhjetë lojëra të tij me Sunderlandin, Cana ka marrë katër kartonë të verdhë, çka e ka lënë atë një ndeshje të pezulluar. Dhe pezullime të këtij karakteri për Canën, në fakt duken të pashmangshëm. Trajneri Brus ka thënë se kapiteni i tij bën mirë që vazhdon të luajë në mënyrë agresive, fort, pa marrë parasysh se gjyqtarët nuk ia kursejnë kartonët e verdhë. “Kjo është një muzikë, me të cilën janë mësuar veshët e Canës,” - ka perifrazuar trajneri i Sunderlandit.Ndërkohë, në lidhje me këtë gjë, vetë Cana tha: “Unë nuk jam lojtari i parë që marr katër kartonë të verdhë në 10 ndeshje. Sidoqoftë, unë nuk do ta ndryshoj lojën time luftarake. Jap maksimumin në fushën e lojës, për ta ndihmuar skuadrën, pasi jam edhe kapiten, prandaj nuk mbaj asnjë rezervë. Kjo e fundit është diçka e rëndësishme për karakterin tim si futbollist.”Në ndeshjen e radhës, nisur nga fakti se Lee Cattermole vuan akoma dëmtimin në gju, ka të ngjarë ta shohim Canën të kthehet në mesfushë. Edhe pse Cana është aktivizuar thuajse rregullisht prapa, në mbrojtje, me Shqipërinë, ai zbulon se nuk ka qenë aq shumë i saktë, siç ka rezultuar me Sunderland. “Unë kam luajtur atje para, në mesfushë, sepse është roli im natyral. Prandaj, ky nuk është një pozicion i ri për mua, - tha Cana. - Unë kam shumë përvojë në qendër të mbrojtjes, si në ekipin tim kombëtar, ashtu edhe nganjëherë në ish-klubin tim, Olimpik Marsejë. Megjithatë, kjo do të jetë hera e parë që do të luaj si mesfushor për Sunderlandin.”Ndërkohë, kapiteni Cana nuk mund të rrijë pa folur dy fjalë edhe për ish-shokun e tij të skuadrës te Marseja, Bolo Zenden, i cili do të jetë pjesë e Sunderlandit për 12 muajt në vazhdim. Kapiteni i Sunderlandit zbulon kënaqësinë e tij që holandezi ndërkombëtare do t’i bashkohet atij në “Wearside”, pasi kanë kaluar një kohë të mrekullueshmë së bashku në jug të Francës. “Kam luajtur me Bolon dy vjet në Marsejë dhe tashmë jam i befasuar për ta parë atë të luajë me mua edhe këtu, te Sunderlandi. Kjo është e mirë për ne. Ai është një lojtar fantastik, me përvojë të madhe, dhe do të na ndihmojë shumë. Unë kisha një marrëdhënie të mirë me të në Marsejë, kështu që jam me të vërtetë k lumtur që Zenden do të vijë këtu. Ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm për ne. Trajneri Brus më pyeti në lidhje me Bolon. Ai donte të dinte nëse është i aftë të përballojë sërish ritmin e kampionatit anglez dhe unë iu përgjigja pa hezitim: Zenden e meriton të luajë me Sunderlandin, si lojtar, por edhe si njeri.”