Ai ishte në fushë, gruaja dhe fëmijët e vegjël në shtëpi, duke parë ndeshjen e baba Fabricio Mikolit në televizor. Por gjithçka u ndërpre nga diçka e paparashikueshme: dy grabitës kanë hyrë në apartamentin e sulmuesit të Palermos dhe i kanë detyruar, duke i kërcënuar familjarët e Mikolit, t’u japin 2 mijë euro dhe një objekt që kushtonte 20 mijë euro.Dy keqbërësit kanë hyrë në banezën e lojtarit siçilian, në një pallat në qendër të Palermos, duke u kacavirrur mbi muret e ndërtesës. Arritën në katin e parë dhe hynë në shtëpi përmes një dritareje të lënë hapur. Aty gjetën gruan, fëmijët dhe vjehërrin e Mikolit si dhe disa miq që po shikonin ndeshjen e Palermos në televizor në stadiumin “Barbera” kundër Udinezes (1-0).
Me kërcënime arritën të marrin para dhe objekte të çmuara për t’u larguar më pas. Dy grabitësit e kishin fytyrën të zbuluar dhe pa armë dhe sapo morën ato që deshën, u larguan me vrap, duke dalë nga pallati së bashku me dy persona të tjerë, që i prisnin në hyrje. Policia po heton për të verifikuar nëse bëhet fjalë vetëm për një grabitje apo për ndonjë paralajmërim ndaj futbollistit. Gjithçka ka qenë shumë shpejtë, sipas fqinjëve të familjes Mikoli, ndonëse policia arriti në kohë dhe deri tani nuk ka asnjë të dyshuar. Ndërkohë Palermoja fitoi të dielën kundër Udinezes me një gol të Çezare Bovos.