Sot luhen ndeshjet e treta në fazën me grupe të “kupës së vogël”. 5 ekipe synojnë të ruajnë pikët e plota
Shakhtjori i Donjeckut, që fitoi edicionin e fundit të Kupës UEFA, do të hedhë një hap të sigurt drejt kualifikimit në 1/16-t e finaleve të Ligës së Europës, nëse fiton sot ndaj francezëve të Tuluzës. Një sukses i mundshëm do t’i jepte mundësinë skuadrës së Mirçea Luçeskut të kryesonte grupin me pesë pikë avantazh. Ukrainasit, që fituan ndaj Verderit në finalen e vitit të kaluar, e kanë nisur Grupin J me dy fitore dhe sot do të presin Tuluzën e vendit të dytë. I pamposhtur, në dhjetë javët e para të kampionatit ukrainas, dhe pas fitores 5-1 ndaj Karpatit në javën e fundit, Shakhtjori po kalon një moment të shkëlyqer forme.
Ata kanë shënuar 13 gola në tri ndeshjet e fundit. Në kontrast me ukrainasit, Tuluza ndodhet vetëm në mesin e renditjes së kampionatit francez, pavarësisht se të dielën arriti një fitore shumë të rëndësishme ndaj Parisit. Këto do të jenë ndeshjet e treta në grupe për Ligën e Europës dhe në sfidën tjetër të Grupit J, Bryzhi pret Partizanin e Beogradit. Belgët, që u mundën 4-1 nga Shakhjtori në ndeshjen hapëse, kanë një pikë, ndërsa serbët i kanë humbur të dyja ndeshjet e para. Verder Bremeni, finalist i edicionit të kaluar, është një tjetër ekip që i ka fituar dy takimet e para dhe do të udhëtojë për në Vjenë ku e pret Austria.
Gjermanët, që renditen në vendin e katërt të Bundesligës, kanë humbur vetëm një ndeshje në këtë sezon. Skuadra tjetër gjermane, Hamburgu, që kryeson kampionatin, do të ketë një transfertë të vështirë në Gllasgou ndaj Sëlltikut për Grupin C. Të dy këto ekipe janë shpallur kampionë Europe në të kalurën. Hamburgu ka tri pikë, një më pak se Rapid Vjena që kryeson dhe do të presë Hapoelin. Skuadra nga Tel Avivi, që fitoi ndaj Sëlltikut, ka tri pikë, ndërsa Sëlltiku mbyll renditjen me një pikë dhe në ndeshjen e fundit të kampionatit nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Madhëruellit.
“Ndoshta mund të kisha luajtur që në fundjavë, por nuk doja të rrezikoja. Tani jam gati për t’u ndeshur me Hamburgun,” - tha mbrojtësi gjerman i Sëlltikut, Andreas Hinkel, i cili rikthehet nga një dëmtim në gjurin e majtë. Rapidi i Vjenës nuk është e vetmja skuadër austriake, që kryeson grupin e saj në Ligën e Europës. Salcburgu i ka fituar të dyja ndeshjet në Grupin G dhe shpreson të konfirmohet, teksa do të presë Levskin e fundit në grup.
Lacio dhe Vilareali do të kenë një përballje të drejtpërdrejtë në “Olimpiko” për vendin e dytë. Italianët dhe spanjollët kanë nga tri pikë. Skuadrat angleze Everton dhe Fulhem janë gjithashtu në krye të grupeve respektive dhe po e marrin veten nga një fillim sezoni “me frena dore”. Evertoni i ka fituar të dyja ndeshjet, por sot luan në fushën e Benfikës, e cila po kalon një moment të mirë forme. Portugezët, që renditen në vendin e dytë të kampionatit, synojnë një fitore që do t’i barazonte me pikë me Evertonin. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi BATE Borisov pret AEK-un e Athinës.
Pas fitores 2-0 ndaj Hullit në Premier Ligë, Fulhemi pret Romën, ndaj së cilës ka një pikë avantazh në renditjen e grupit ku bëjnë pjesë edhe Bazeli me CSKA-në e Sofjes. Ajaksi, katër herë kampion Europe, ka një sfidë të drejtpërdrejtë për vendin e dytë të grupit me Dinamon e Zagrebit, teksa Andërlehti kryesues udhëton për në Rumani, ku do të ndeshet me Timishoarën.
Xhenoa, që u mund 5-0 në fushën e saj nga Interi në ndeshjen e fundit të Serisë A, do të luajë në Lilë, ndaj francezëve që gjithashtu kanë pasur një fillim të vështirë të kampionatit me vetëm dy fitore në nëntë javët e para. Gjithsesi, Lila kryeson grupin B me katër pikë, aq sa Valencia që ndeshet me Spartën e Pragës. Çekët janë mundur në të dy ndeshjet e para.
Leiçesteri ka filluar bisedimet me mesfushorin holandez, Edgar Davids, që ta bindë atë të vazhdojë karrierën në “Walkers Stadium”. Sipas shtypit anglez, pronari i ekipit të kategorisë së dytë angleze, Milan Mandariç, është takuar me ish-lojtarin e kombëtares holandeze, që gjatë karrierës së tij ka luajtur me Ajaksin, Milanin, Juventusin, Interin dhe Totenhemin.
Rumenige, drejtuesi i lartë bavarez, ka zgjatur deri në vitin 2011 kontratën e tij me klubin gjerman. “Karl-Hajnc Rumenige do të punojë me Bajernin edhe për dy vjet dhe tri muaj të tjerë, deri në dhjetor të 2011-s,” - tha zëdhënësi për shtyp, Markus Horvik. Rumenige, i famshëm për të kaluarën si futbollist, e ka nisur karrierën te Bajerni në vitin 2002.
Leverkuseni, që kryeson renditjen e Bundesligës, do të luajë pa kapitenin Simon Rolfes në javët e ardhshme. Mesfushori i “aspirinave” do t’i ndështrohet një operacioni të lehtë në gjurin e majtë. “Ishte një suprizë e hidhur, por fatmirësisht mjekët thonë se do të rikthehet në fillim të 2010-s,” - tha trajneri i Leverkusenit, Jup Hejkens.
Mihal Bilek do të jetë trajneri i ri i kombëtares së Çekisë. 44-vjeçari, që në të kaluarën ka drejtuar Spartën e Pragës, do të marrë vendin e Ivan Hasek, i cili dha dorëheqjen pasi çekët nuk arritën të kualifikohen për në botëror. Bilek ka firmosur një kontratë dyvjeçare dhe do të bëhet trajneri i katërt i Çekisë në harkun e 15 muajve, pas Radës, Strakës dhe Hasekut.