Kuqezinjtë fitojnë 3-2 në Madrid. Çelsi dhe Mançesteri ruajnë pikët e plota. Bordoja mund Bajernin
- Pato shënon dy herë, teksa kuqezinjtë e Leonardos “pushtojnë” Madridin me një fitore historike.
- Goli i Kielinit dhe pritjet e Bufonit i japin Juventusit fitoren e parë në këtë edicion.
- Bordoja humbet dy penallti, por fiton 2-1 ndaj Bajernit dhe merr kreun e grupit.
- Mançesteri dhe Çelsi fitojnë ndeshjen e tretë dhe kryesojnë me pikë të plota.
Grupi A - Bordoja në krye, Juvja merr fitoren e parë
Mbrojtësi Mishael Ciani u shndërrua nga fajtor në hero në fitoren 2-1 të Bordosë kundër Bajernit të Mynihut në Ligën e Kampionëve. Ciani i kaloi miqtë në epërsi në minutën e gjashtë kur e dërgoi topin në portën e vet, por më pas e shleu gabimin me një gol tepër të bukur me thembër dhe me kurriz nga porta. Bajernit iu ndëshkua me karton të kuq organizatori Tomas Mëler në minutën e 30-të, ndërsa pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë ishte mbrojtësi Mark Planus që shënoi golin e fitores. Bordoja humbi dy penallti në pjesën e dytë, ndërsa Bajernit iu ndëshkua me karton të kuq edhe një tjetër lojtar, mbrojtësi Daniel Van Bujten. Fitorja i ngre francezët në krye të grupit A me shtatë pikë në tri ndeshje. Juventusi i dha fund serisë së ndeshjeve pa fitore kur mundi 1-0 Makabi Haifan falë golit të Xhorxhio Kielinit. Qendërmbrojtësi i Italisë përfitoi nga krosimi i Diegos duke e ngritur Juven në kuotën e pesë pikëve. Makabi, në vend të fundit në grup, e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë pasi Tiago Dutra u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të fortë kundër Kielinit.
Grupi B - Mançesteri arratiset me pikë të plota
Mançester Junajtid u tregua i durueshëm dhe gjeti një gol pesë minuta para fundit me anë të Antonio Valencias, duke arritur fitoren e tretë në Grupin B, 1-0 ndaj CSKA-së së Moskës. Ashtu si në ndeshjet e para ndaj Beshiktashit dhe Volfsburgut, ku kishin bërë diferencën në dhjetë minutat e fundit, edhe këtë herë, të besuarit e Fergusonit u tregun oportunistë në çastet e fundit. Valencia mposhti portierin Akinfejev, pas pasimit të marrë nga Berbatov. “Nuk është e lehtë të fitosh jashtë fushe, aq më tepër se këtë herë treguam pjekuri dhe durim. Jam krenar për këtë paraqitje,” - tha trajneri Sër Aleks Ferguson. Mançesteri kryeson grupin me pikë të plota. CSKA-ja ka tri pikë, një më pak se Volfsburgu i vendit të dytë, që barazoi 0-0 në ndeshjen tjetër të Grupit B ndaj Beshiktashit. Kampionët e Gjermanisë nuk arritën të thyejnë mbrojtjen turke, e cila mund të krenohet me pikën e parë në këtë edicion.
Grupi C - Milan “magjik” në Madrid, bind Marseja
Sulmuesi Aleksandre Pato ishte heroi i ndeshjes për Milanin kur në minutën e 88-të mposhti me një gjuajtje mjeshtërore portierin e Realit, Iker Kasiljas. Milani përmbysi rezultatin duke fituar 3‑2 në “Bernabeu” në Grupin C. Reali kaloi në epërsi me anë të Raulit pas një gabimi qesharak të portierit të Milanit, Dida, në minutën e 19-të. Me këtë gol ai barazon rekordin e Gert Mylerit prej 66 golash në tre kompeticionet kryesore evropiane për klubet. Vendasit ishin në kontroll të lojës deri në minutën e 62-të, kur një gjuajtje prej 30 metrash nga Andrea Pirlo nuk i dha shanse portierit të Realit. Kasiljas i dhuroi golin e dytë Milanit kur Pato shënoi katër minuta më vonë. Roiston Drente barazoi rezultatin për vendasit në minutën e 76-të, por kur kishin mbetur vetëm dy minuta lojë, Pato i befason të gjithë me golin e tretë, duke i shkaktuar Realit humbjen e parë në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Mbrojtësi argjentinas Gabriel Heinze ishte autor i golit të fitores për Olimpikun e Marsejës në fushën e FC Zyrih dhe i dha skuadrës së tij pikët e para në Grupin C. Ish-lojtari i Mançester Junajtid dhe Real Madridit ishte i pambuluar në zonë në minutën e 69-të dhe dërgoi në rrjetë harkimin e Luis Gonzalezit.
Grupi D - Çelsi drejt kualifikimit, Porto e dyta…
Salomon Kalu shënoi dy gola mbrëmë teksa Çelsi hodhi një hap të madh drejt kualifikimit për në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve me fitoren 4-0 kundër Atletikos së Madridit në “Stamford Bridge”. Ndërkohë që sulmuesi Didië Drogba shlyente ndeshjen e tij të fundit të skualifikimit të pësuar nga UEFA, ishte Kalu ai që tregoi aftësitë e tij prej golashënuesi në secilën pjesë të lojës. Frenk Lampard i dha fund shterpësisë së tij para portës duke shënuar golin e tretë të Çelsit dhe më pas ishte Luis Perea i Atletikos që vulosi natën e errët të spanjollëve me një autogol në kohë shtesë. Çelsi tani kryeson me pikë të plota në Grupin D, tri pikë më shumë se Porto. Portugezët fituan 2-1 kundër Apoelit falë golave të brazilianit Hulk. Porto e dominoi pjesën e parë të ndeshjes, por ishte Apoeli që kaloi në epërsi me sulmin e tyre të parë në minutën e 22-të. Por vendasit reaguan me karakter dhe shënuan dy gola duke shuar ëndrrën e qipriotëve.