22 tetor 2009

Sensi inatoset: Tani nuk do të hesht më!

Letër e hapur e presidentes së Romës pas dy episodeve të dyshimta me Milanin, ku akuzohet Rozeti
Vendimet e dyshimta të gjyqtarëve të dielën në mbrëmje në ndeshjen e “San Siros” kundër Milanit, kanë provokuar irritimin e Rozela Sensit, e cila ngre zërin. “Koha e heshtjes ka ikur tashmë. Jam e vendosur të ngre zërin në mënyrën dhe në vendet e duhura, - tha presidentja e Romës përmes një letre të hapur, që titullohej ‘Nga “San Siro” drejt Londrës’. - Do t’i bëj llogaritë vetëm në fund dhe nuk kam frikë nga asnjë.
Në maj do të shohim renditjen”. Në thelb letra e vajzës së ish-presidentit Franko Sensi nënvizon se është “e zemëruar, madje e inatosur dhe besoj se nuk jam e vetmja këto ditë në Romë në një gjendje të tillë. Ka 17 vjet që familja ime drejton Romën dhe në këtë periudhë të gjatë, kam gjetur mënyrën të gjej një ide të artë të futbollit të luajtur dhe të futbollit të folur… Nuk harroj as që e kemi humbur një titull në 45 minutat e fundit në Katania, dy vjet më parë, ndërsa Interi luante me Parmën në “Tardini”.
Më pas, Sensi vazhdon: “Nuk po përjetojmë më as situatën e disa viteve më parë kur ishte skandali, por me sa duket po përjetojmë situata të papranueshme. Presidentja verdhekuqe i lëshon pastaj mesazhe trajnerit Ranieri, të cilit i kërkon “të vazhdojë të ketë forcë dhe karakter me këtë skuadër, e cila të dielën tregoi që është akoma një nga skuadrat e fuqishme të kampionatit”. Ndërsa nga futbollistët, Sensi kërkon, “që të luftojnë dhe nuk dua të dëgjoj më fraza si “e dinim sesi do të përfundonte ndeshja”.
Dhe në të vërtet polemikat në shtëpinë e Romës pas humbjes 2-1 me Milanin nuk pushojnë, ku objekt është gjykimi i Rozetit për disa vendime kundër Romës dhe pro Milanit: “11-metërshi ndaj meje ishte, nuk u hodha dhe as që protestova, sepse ishte 11-metërsh dhe kaq, - tha sulmuesi francez, Zheremi Menez, që gjithsesi është i kënaqur nga paraqitja personale. - Ajo ndaj Milanit ishte ndeshja ime më e mirë me Romën. Mund të jetë ajo e kthesës për mua dhe skuadrën. Ishte një rast i mirë për të bindur edhe Ranierin që të më aktivizojë edhe më shumë.
Marrëdhëniet me të janë të mira, nuk dua të largohem më, dua të luaj më shumë. Në “San Siro” luajta, sepse nuk kishte sulmues”. Pas Menezit, edhe Mirko Vuçiniç shpreh keqardhjen e tij për gjykimin: “Është gjithnjë e njëjta histori, në Milano nuk dimë më ç’të mendojmë. Është një skandal. Na vjen keq, pa 11-metërshin e Milanit, ndoshta do të fitonim. Nuk po shënoj? Sigurisht që po mendoj, kam tetë ndeshje që s’po shënoj. I kam shënuar vetëm Gentit.
Por në radhë të parë duhet të jem në formë në aspektin fizik, pasi nuk po arrij të stërvitem me vazhdimësi. E di që pa Totin pesha e sulmit bie mbi shpinën time, do të përpiqem të zhbllokohen me Fulhamin”. Dhe pikërisht sot në Angli për Ligën e Europës, Romës do t’i mungojë Toti (probleme në gju), Mota (ndrydhje në kaviljen e djathtë) dhe Huan (tërheqje muskulare në kofshën e djathtë). Në listën e Ranierit për transfertën londineze do të jenë këta lojtarë të grumbulluar: Lobont, Sisinjo, Andreoli, Mekses, Pizarro, Vuçiniç, Tadei, De Rosi, Rise, Hulio Baptista, Perrota, Guberti, Greko, Artur, Burdiso, Doni, Brigi, Kasetti, Okaka, Menez.