Iakuinta dëmtohet, 30-40 ditë jashtë
Telashe për Juventusin dhe sigurisht Çiro Ferrarën: Vinçenco Iakuinta do të operohet së shpejti në meniskun anësor të gjurit të majtë. Vendimi është marrë nga mjekët bardhezinj pas rezonancës magnetike, së cilës iu nënshtrua sulmuesi 30-vjeçar dje në mëngjes në Torino. Në të vërtet Iakuinta ishte grumbulluar nga Ferrara që për sfidën në Sienë të dielën, ndonëse kishte dhimbje të lehta në gju pas një përplasjeje gjatë ndeshjes stërvitore të së shtunës në Vinovo. Të dielën dhimbjet u shtuan dhe Ferrara vendosi ta lërë jashtë. Pas operacionit, parashikohet për të një pushim 30-40 ditë. Pas Del Pieros dhe Markizios, Iakuinta është lojtari i tretë juventin, që duhet të qëndrojë pushim për shkak të dëmtimit.