27 tetor 2009

Bufon: Jemi “të sëmurë”, duhet të ndryshojmë

Portieri bardhezi pranon vështirësitë e momentit, ndonëse Amauri dhe Diego nuk janë dakord me kritikat
Xhixhi Bufon e pranon që Juventusi nuk është në momentin e tij më të mirë, por që fitorja është ilaçi më i mirë për të rigjetur formën e duhur kjo dihet: “Kur je “i sëmurë”, gjëja që ka më shumë rëndësi është ajo që të kthehesh të gjesh një farë vazhdimësie te fitoret, - thotë portieri bardhezi. - Nga Siena u kthyem në shtëpi me një fitore të rëndësishme, por duhet të përmirësohemi sa më shumë të jetë e mundur”. Me ndeshjen e nesërme në mbrëmje kundër Sampdorias, bardhezinjtë fillojnë një cikël të tmerrshëm në këtë fazë të sezonit: “Na presin nëntë ndeshje “të nxehta” për t’i dhënë një drejtim sezonit tonë, si për kampionatin, ashtu edhe për Championsin.
Duhet të përpiqemi të jemi të kujdesshëm e të përqendruar, por edhe optimistë”. Nesër është sfida me Sampin e vendit të dytë, që ndodhet dy pikë para Juves. Bufoni nënvizon: “Do të kemi përballë një nga skuadrat më në formë dhe që në këto momente po luan futbollin më të bukur në Itali”. Shpirti kritik i Bufonit është i hapur, si gjithnjë: “Po presim që të shpërthejnë shkëndijat. Ky është një momend delikat, ndonëse jam i kënaqur për tri pikët. Mund të luajmë dhe më mirë, por tani rëndësi ka të marrim rezultate”.
Megjithatë, lajmi i mirë në shtëpinë bardhezi është që Amauri shënon një tjetër gol. I dyti radhazi në kampionat. Për një që kishte ndaluar më 15 shkurt (Juventus-Sampdoria) të vitit që shkoi, është një injeksion i bukur besimi. Nuk është se braziliani kishte nevojë. Ai thotë: “Ka pesë sezone që luaj një kampionat më të bukur se tjetrin, nuk duhet t’i tregoj asgjë askujt, megjithatë ishte e rëndësishme të fitonim dhe ia dolëm”.
Një me zero ndaj Sienës së vendit të fundit në renditje. Amauri nuk ndryshon shprehje: “Vështirësi? Nuk e besoj. Ndoshta pashë një tjetër ndeshje”. Të njëjtën ndeshje pa edhe Diego. Fantazisti brazilian tregon: “Po, gjithçka ishte e përsosur. Duhej të fitonim dhe fituam. Shënuam dhe krijuam raste të tjera për gol. Mund të përmirësohemi diçka, por skuadra po rritet dhe nesër duhet të mundim Sampdorian. Dëshira ime është të shënoj, por nëse jap pasime dhe Amauri shënon, jam i lumtur gjithsesi. Ndihem në formë si në fillim të kampionatit. Kam patur një rënie? Po, por rastisi me rënien fiziologjike të të gjithë skuadrës dhe për këtë duhet të pyesni trajnerin tonë”.