20 tetor 2009

Dinjo: Iu përgjigja atyre që nuk besojnë

Fantazisti brazilian, protagonist ndaj Romës, gjen momentin të shfryjë pas kritikave dhe akuzave të shumta
Zgjedhja e Leonardos për të synuar te një sulm i gjithi brazilian, në fund funksionoi. Tri pikët ndaj Romës erdhën pikërisht nga aksi Pato-Ronaldinjo. Në mënyrë të veçanë, ish-ylli i Barcelonës, i ka mbyllur të gjitha gojët e liga, duke nënvizuar se kritikat që kanë ardhur në adresë të tij, kohët e fundit, s’kanë asgjë të përbashkët me faktin që ai s’mund të luajë në sulm me Paton. “Jam i kënaqur që gjërat shkuan mirë të dielën, - pranon Ronaldinjo. - Në këtë periudhë kam punuar shumë dhe ndihem mirë në aspektin psiko-fizik.
Unë dhe Pato provuam se mund të luajmë së bashku, unë jap pasime për gol, ai finalizon në rrjetë.” Por golin e parë të barazimit ndaj verdhekuqve e shënoi pikërisht Gauçoja me 11-metërsh. “Kur godita 11-metërshin, pasi shënova, ndjeva një përshtypje të mirë, edhe pse kështu doja t’u përgjigjesha atyre që më kanë kritikuar, - vazhdon fantazisti brazilian.
- Për mua nuk ka asnjë problem, mund të luaj si në krah të majtë, ashtu edhe si sulmues anësor. Pa dyshim që rolin e krahut e njoh shumë mirë, pasi e mbuloj prej kohësh”. Në fund, kapitulli i kombëtares: “Jam i bindur se nëse vazhdojmë kështu, gjërat do të ndryshojnë, por jo vetëm për mua, por edhe për Tiago Silvën, Paton e Didën. E përsëris, për momentin mendoj vetëm të luaj dhe të mos u jap shumë rëndësi zërave që qarkullojnë rreth meje. Edhe lavdet e presidentit Berluskoni janë një stimul i madh për të dhënë akoma më shumë”.
Një tjetër protagonist i suksesit kundër Romës në “San Siro” ishte edhe Klarens Sedorf. Mesfushori holandez, autor i një paraqitjeje të shkëlqyer, ka dashur të bëjë një saktësim, duke parë një parrullë të vendosur nga ana e tifozëve kuqezinj gjatë ndeshjes. “Sedorf arrogant, ki respekt për ata që për të të parë duke ecur, paguajnë biletën…”, - shkruante parrulla, të cilës Sedorfi iu përgjigj kështu: “Tifozët nuk e kanë me mua, në të vërtetë ata thirrën në kor emrin tim në fillim të ndeshjes dhe unë i duartrokita.
Parrulla është fryt i vetëm një personi, i cili që në Bergamo, dy javë më parë gjatë nxemjes, më ulërinte të qëndroja në shtëpi dhe të cilit iu përgjigja që nuk ishte një milanist i vërtetë dhe që do të ishte më mirë që në shtëpi të qëndronte vetë ai”. Në fund Sedorfi e mbylli: “Në vend që të shkruajë parrulla të tilla dhe t’i lërë të kuptojnë të tjerët se i kam të gjithë kundër, mund të vinte të komunikonte me mua në Milanelo”.