Pamjet e derbit Dinamo-Tirana dhe të takimit Kastrioti-Skënderbeu janë prova të pakundërshtueshme për disiplinënËshtë e pamundur që futbolli shqiptar t’i shmangë problemet e dhunës në fushën e blertë thjesht duke bërë thirrje për korrektesë. Rastet e fundit, të konfirmuara edhe nga pamjet filmike që janë servirur në emisionet televizive, tregojnë që institucioni i futbollit është para një prove të vështirë, për të vënë rregullin brenda dhe jashtë fushave të blerta. Por sigurisht FSHF-ja duhet të marrë edhe përgjegjësitë e saj, madje të ndërhyjë tek institucionet përkatëse, që janë treguar amatore (për të mos thënë kanë gabuar me qëllim) në vendimet e tyre.
Përtej problematikës së mprehtë në futboll, duhet theksuar që një impakt mjaft pozitiv për mbarëvajtjen e garës ka dhënë edhe transmetimet direkt dhe në kohë të plotë të ndeshjeve, që nuk lënë vend për dyshime në rastet e sjelljeve josportive, të cilat nuk mund të fshihen as nga arbitrat dhe as nga vëzhguesit e ndeshjeve. Gjithsecili mund t’i gjykojë sjelljet e të gjithë aktorëve të futbollit në kohë reale, duke shmangur kështu manipulimet e mundshme të palëve në konflikt.
“Lila” dhe përgjegjësia e FSHF-së
Një nga çështjet më të mprehta të javës së kaluar ishte falja që i bëri komisioni i apelit Andi Lilës, duke ditur që nuk mund të marrë dy vendime për të njëjtën çështje. Me të drejtë, drejtuesit e Tiranës kërkojnë llogari për pështjellimin që solli ky komision, që duhet të marrë përgjigjësitë për vendimet e tij arbitrare. Dihet që vendimet e apelit merren në mënyrë të pavarur, por kur shkel rregulloren, FSHF-ja ka të drejtë të marrë masa, deri në shkarkimin e anëtarëve të tij. Një komision që humbet besueshmërinë për paanshmëri në vendime, nuk mund të garantojë zbatimin e rregullores në të ardhmen.
Rastet “Ndreu” dhe “Memelli”
Janë dy momente të spikatura të sjelljes josportive në dy ndeshje të ndryshme. Në derbin Dinamo-Tirana, Migen Memelli, një nga futbollistët më cilësorë të kampionatit tonë, ka goditur kundërshtarin e tij krejtësisht në mënyrë të panevojshme, çka përbën objektin e hetimit të komisionit të disiplinës. Një rast më flagrant është ai i ndeshjes Kastrioti-Skënderbeu.
Trajneri i krutanëve, i fokusuar pastër nga kamerat e pranishme në stadium, ka goditur në gjoks Djarmatin e Skënderbeut, duke e hedhur përtokë (çdolloj provokimi i kroatit nuk e justifikon veprimin e trajnerit Ndreu, që duhet të jetë shembull i ruajtjes së gjakftohtësisë për futbollistët e tij). Të gjitha rastet e përmendura duhet të analizohen me shumë kujdes nga FSHF-ja, për të shmangur përshkallimin e shfaqjes së sjelljeve të pahijshme në stadiumet tona.