Trajneri nënvizon mungesën e finalizimit të skuadrës ndaj Makabit, ku hero ishte sërish BufoniDhjetë “indianë” të vegjël, por të mërkurën mendoi Bufoni për të shmangur një finale “thriller” me dy pritje vendimtare prej numri një. Fitore e arritur në momentin e duhur, 350 ditë pas rikthimit të suksesit në Champions, në pritje të kampionatit. Çiro Ferrara mund të jetë i kënaqur nga rezultati, nga renditja, për modulin e ri, por më pak për disa momente shpërqendrimi të skuadrës, në fund të ndeshjes më shumë për shkak të lodhjes, sesa për mungesë kujdesi.
BUFON - “Pak lavde një portieri i bëjnë mirë ndonjëherë, do të thotë që i meriton, - qesh Xhixhi Bufon, heroi i ndeshjes ndaj Makabit. - Donim me çdo kusht tri pikët, për të kërkuar të korrigjonim barazimin me Bordonë, duhej të fitonim. Megjithatë të tjerët mund të na vlerësojnë si të duan për lojën tonë. Në të vërtet krijuam raste të mira për gol. Në Champions topat për gol mund t’i lejosh, për t’u shmangur janë topat për gol në minutën e 93-të dhe me një lojtar më shumë, siç ishim ne. Barazimi me Bordonë është një pengesë e vogël që do ta mbajmë pas shpine deri në fund: do të na detyrojë t’i fitojmë edhe ndeshjet e mbetura”.
FERRARA - Më në fund, Çiro Ferrara, mund të marrë frymë lirisht. Juvja është e dyta në renditje, aty ku duhet. “Mund të përmirësohemi edhe më shumë, - vëren trajneri bardhezi, - luajtëm për herë të parë ndryshe, ndryshuam modul pas disa vitesh dhe patëm ndonjë vështirësi. Luajtëm një ndeshje të mirë. Defekte? Nuk arritëm ta mbyllnim ndeshjen, duhet të përmirësohemi në ruajtjen e epërsisë dhe të superioritetit numerik. Luajtëm me një sulmues të vetëm, por me tre lojtarë shumë të aftë pas shpine në fazën sulmuese. Patëm shumë raste, që nga shtylla e Kamoranezit te goditjet e Xhiovinkos e Trezegesë. Ishte një ndeshje e fortë, me faulla dhe në disa raste nuk i kuptova vendimet e gjyqtarit, përfshirë dhe ndërhyrjen ndaj Trezegesë si lojtar i fundit, ku kundërshtarit nuk iu nxorr as kartoni i verdhë”. Dhe tani sytë te ndeshja e ardhshme, pas dy javësh. Sërish detyrimi për të fituar për bardhezinjtë në sfidën e Tel Avivit për të parë me kureshti renditjen, pastaj pas sfidës në Mynih mes Bajernit dhe Bordosë.
MELO ËSHTË “OK” - Janë lehtësuar Juventusi dhe Ferrara. Analizat klinike kanë hedhur poshtë ndonjë dëmtim të rëndë për Felipe Melon, që doli nga ndeshja e Championsit ndaj Makabit të Tel Avivit duke çaluar. Mesfushori brazilian, që pësoi një goditje të fortë në kaviljen e majtë, ka patur vetëm një traumë. Mbetet për t’u parë nëse do të riaftësohet për ndeshjen e së dielës në kampionat kundër Sienës. Ndërsa sa i takon Xhonatan Zebinasë, mësohet se mbrojtësi francez do të mungojë në “Franki” për një bllokim muskular.