23 tetor 2009

Dinjo: Milani Championsin, Pato “Topin e artë”

Sulmuesi brazilian rrëfen se tashmë është i lumtur: Kemi hyrë në histori, fituam në “Bernabeu”
Klasi nuk është ujë dhe asnjë frazë nuk është më e përshtatshme për të përcaktuar momentin aktual të Ronaldinjos, i kthyer në ndeshjet e fundit të dhurojë spektakël dhe gola për Milanin. Nuk ka ndoshta shpërthimin e dikurshëm, por cilësia e ish-”Topit të Artë” nuk mund të vihet në diskutim. Pas fitores historike në “Bernabeu”, ylli brazilian i Milanit ka rigjetur më në fund buzëqeshjen, siç e pranon vetë ai: “Nuk fjetëm shumë, por jemi të lumtur që hymë në histori, - tregon Ronaldinjo.
- Është hera e parë që Milani fiton në “Bernabeu”. Ishte një fitore e rëndësishme për ecurinë në Champions. Tani kemi dy ndeshje në shtëpi, dy ndeshje të vështira, por në “San Siro”, me të gjithë tifozët tanë, bëhemi më të fortë”. Megjithatë mbrëmja triumfuese rrezikoi të vihej në diskutim nga gafa e Didës: “Didës i shpëtoi topi nga duart, por kjo e bëri më të fortë skuadrën, - vazhdon Dinjo.
- Kur një shok gabon, të gjithë duan ta ndihmojnë. Pres që ai të kthehet në nivele të mëdha, siç bëri në pjesën e dytë”. Kundër Real Madridit, Milani tregoi se di të luajë me një modul pa shumë paragjykime: “E treguam që në pjesën e dytë ndaj Romës dhe të mërkurën ndaj një klubi të madh si Reali, - thekson fantazisti brazilian. - Unë ndihem mirë në çdo rol, në çdo cep të fushës, ndihem mirë kur luaj. Kjo është e vërtetë. E vërtetë është se tashmë ndihem edhe i lumtur. Fizikisht jam mirë”.
Një zgjedhje ajo për të luajtur me tre sulmues plus Sedorfin, që e lartësoi punën e Leonardos, i cili, sipas Dinjos, është “arkitekti” i suksesit të kuqezinjve kundër spanjollëve: “Ai është ndër ata që ka luajtur shumë vite në nivele shumë të larta, e di mirë si luhen këto lloj ndeshjesh, di t’i lexojë mirë këto lloj sfidash”.
I frymëzuar nga golat e shënuar kundër Atalantës e Romës në kampionat dhe nga paraqitja e mirë ndaj Realit, Ronaldinjo rrëfen se nuk e ka ndjerë shumë peshën e kritikave të javëve të fundit, në veçanti, akuzën e lëshuar nga gazeta franceze “L’Equipe”, që e ka cilësuar një “ish-lojtar”. “Edhe kjo të jep motivim, - shpjegon numri 81 kuqezi. - Përgjigja ime është të zbres në fushë dhe të jap më të mirën. Dikur më thanë që të gjithë lojtarët e mëdhenj duhet të tregojnë se janë të tillë në ndeshje të mëdha…”.
Ai që shkëlqeu më shumë në mbrëmjen e “Bernabeu”-t ishte pa dyshim Aleksandre Pato dhe Dinjo premton, pikërisht falë pasimeve të tij të arta, të ndihmojë bashkëkombasin e tij të arrijë një objektiv të madh: “Me pasimet e mia, do ta bëj Paton të fitojë “Topin e Artë”. Megjithatë objektivi parësor i Gauços është të ndihmojë Milanin, ta ngrejë në majë të Europës: “Erdha këtu për të ndihmuar Milanin të kthehet në Champions. Sot ndihem një lojtar i rëndësishëm i Milanit dhe dua ta ndihmoj klubin të fitojë tituj të rëndësishëm. “Selesao”? Unë nuk mendoj për gjë tjetër veç Milanit. Dua të luaj mirë këtu, pastaj gjithçka do të kthehet normalisht”.