27 tetor 2009

“Kaos” në Francë, derbi luhet të enjten

Marseja dhe PSG ankohen për shtyrjen e vonë të ndeshjes, që shkaktoi trazira mes tifozëve
Klubet kanë kritikuar Ligën Franceze të Futbollit, pas përleshjeve mes tifozerive dhe policisë, si pasojë vendimit për të shtyrë ndeshjen ndërmjet Olimpikut të Marsejës dhe Paris Sën Zhermenit, për shkak të gripit të derrave. Autoritetet e të dyja klubeve nuk ishin të kënaqur me faktin se presidenti i Ligës Franceze, Frederik Tiriez, priti deri pasdite për të vendosur shtyrjen e ndeshjes, që do të luhen këtë të enjte. Në momentin që u bë i ditur vendimi, 2 mijë tifozë të Parisit ndodheshin në rrugët e Marsejës. Disa futbollistë të PSG-së janë dignostikuar me virusin A1N1 dhe e gjithë skuadra kryeqytetase është në karantinë.
“Vendimi për të shtyrë ndeshjen u mor shumë vonë,” - tha drejtuesi i Marsejës, Zhan-Klod Dazier, ndërsa trajneri Didië Deshamp shtoi: “Eshtë e vështirë të kuptohet. Lojtarët e Parisit ishin të sëmurë që të premten në mëngjes dhe vendimi u mor vetëm pesë orë para ndeshjes që luhej të dielën në mbrëmje.” Nga ana tjetër, drejtuesi i Parisit, Robin Lepro, nuk u tregua më i kursuer. “Ky është një kaos i shkaktuar nga Liga. Të shtunën vendosën që ndeshja të luhej dhe kjo është skandaloze.”
Pas vendimit të Ligës për ta shtyrë ndeshjen, tifozët e Marsejës dhe Parisit, më problematikët në Francë, u përleshën me njëri-tjetrin në sheshin historik “Vieux Port” dhe në metronë e qytetit të Marsejës. Policia, e shumtë në numër për shkak të rrezikshmërisë që paraqet ky takim, vuri rregullin vetëm pas dy orësh me ndihmën e qenve dhe gazit lotsjellës. Dhjetë tifozë u arrestuan, ndërsa një dyzinë përfundoi në spital. Shefi i policisë së Marsejës, Filip Klajman, ishte një ndër ata që iu shtuan korit të kritikave për Ligën Franceze. “Gjithçka ishte e kotë dhe mund të shmangej. Liga Franceze duhet ta kishte pezulluar ndeshjen të shtunën dhe tifozët e Parisit do të qëndronin në shtëpi.”
Nga ana e tij, presidenti i Ligës Franceze të Futbollit, Teriez, tha se vendimi varej nga buletinet mjeksore. “Unë mora vendimin e duhur në kohën e duhur, - tha ai për “L’Equipe”. - U konsultova me komisionin mjeksor ditën e shtunë dhe ata më thanë se futbollistët e Parisit, Sakho dhe Zhyli, ishin të infektuar me virusin e gripit të derrave. Kaq ishte shumë pak për të pezulluar një ndeshje sipas rregullores. Më pas, në mbrëmje u sëmur edhe Zheremi Klement dhe u konfirmua gjendja jo e mirë e Loris Arno dhe Favre në mëngjesin e ditës së dielë. Në orën 12:00 vendosën shtyrjen e ndeshjes.” Derbi i Francës, siç quhet ndryshe përballja Marsejë-Paris, do të luhet të enjten. “Mjekët urdhëruan karantinë 72 orëshe për futbollistët e Parisit. Të mërkurën në mëngjes, lojtarët e shëndoshë do të jenë të lirë të përgatisin ndeshjen që do të luhet të enjten dhe që është pranuar nga drejtuesit e Marsejës,” - lexohej në komunikatën e nxjerrë për shtyp nga Liga Franceze e Futbollit.

Mateusi ka bërë të qartë se nuk e ka arritur ende marrëveshjen me Rejsing Klub, por se së shpejti mund të drejtojë klubin argjentinas. Ish-trajneri i Hungarisë tha për gazetën “Bild”: “Kontrata është finalizuar në masën 80%. Mbeten ende disa klauzola për t’u sqaruar. Kam biseduar me gruan time dhe ajo do të pranojë të transferohet në Argjentinë, vetëm nëse do të ketë mundësinë të punojë si modele.”
Ndërkohë, drejtori teknik i Rejsingut, Rodolfo Molina dhe se marrëveshja është shumë pranë dhe do të zyrtarizohet javën e ardhshme. Rejsingu ende nuk ka fituar asnjë ndeshje në këtë kampionat dhe renditet në vendin e fundit me pesë pikë pas dhjetë javësh. Gjatë karrierës së tij, Mateus, ish-kapiteni i Gjermanisë, ka drejtuar skuadra në Hungari, Brazil, Izrael dhe Austri.
Bokumi është pranë marrëveshjes me Heiko Herrlish, që do ta bënte ish-sulmuesin e Dortmundit, trajnerin e ri të ekipit nga krahina e Ruhrit. Bokumi është ende në kërkim të një trajneri, pasi ndërpreu bashkëpunimin me Marsel Koller, gjashtë javë më parë. Skuadra aktualisht po drejtohet nga trajneri i përkohshëm Frenk Heinman.
Heinman ka grumbulluar katër pikë në katër ndeshjet e fundit, por nuk ka arritur të largohet nga zona e ftohtë, teksa Bokumi renditet në vendin e 17-të. Heiko Herlish dukej se do të bëhej trajneri i Kaizerslauternit, gjatë verës së kaluar, por marrëveshja nuk u zyrtarizua në çastet e fundit. Gazeta “Kicker” shkruante se ai 42-vjeçari do të prezantohet nesër si trajneri i ri i Bokumit.