14 qershor 2009

Kupa e Konfederatave: Afrika e Jugut dhe Iraku luajnë baras

Afrika e Jugut dhe Iraku kanë luajtur pa gola në ndeshjen e parë që hapi garën e Kupës së Konfederatave.
Nikoqiri i kësaj gare, Afrika e Jugut, nuk arriti të shfrytëzojë epërsinë e fushës vendore për të nxjerrë pikë të plota nga ndeshja e parë. Takimi ishte i ngadaltë, jo dinamik, me vetëm disa raste për gol, të cilat erdhën në minutat e fundit të ndeshjes. Rasti më i mirë i takoi Afrikës së Jugut, 12 minuta para fundit, kur Mashego u gjend vet para portierit të Irakut, por Gassid ndaloi goditjen. Një mundësi tjetër shënimi vendasit patën edhe në minutën e 84-të, pas një goditje të lirë nga Gaxa, por edhe ky rast nuk u shfrytëzua. Ndeshja e radhës zhvillohet po ashtu sonte në mes të Zelandës së Re dhe Spanjës.