Avokatët e Moxhit hidhen në sulm, sepse në faktet e publikuara së fundmi përfshihen edhe zikaltërit e klube të tjera
Në Itali është rihapur plaga “Calciopoli”. Federata e Futbollit përtej Adriatikut (FIGC) duhet të vendosë shpejt se çfarë do të bëjë, pas publikimit të regjistrimeve të reja telefonike: për herë të parë në skandal përfshihen edhe krerët e Interit (Morati dhe Faketi), por në bankën e të akuzuarve janë edhe Meani (ish-drejtues i Milanit për marrëdhëniet me gjyqtarët), Çelino (presidenti i Kaljarit) dhe shumë personazhe të tjerë. Së afërmi pritet të publikohet edhe një dialog ndërmjet Faketit dhe ish-gjyqtarit, Masimo De Santis. Përfaqësuesit ligjorë të Luçiano Moxhit, të akuzuarit kryesorë për “Calciopoli”-n, tashmë kanë filluar sulmet ndaj FIGC. Ngjarjet lidhen me periudhën 2005-‘06, ndërsa avokati Paolo Trofino, deklaroi se më 13 prill, në seancën e radhës së gjyqit në Napoli “do të tregojmë se ‘Calciopoli’ nuk ka ekzistuar kurrë. Do të ketë të tjera telefonata të regjistruara, edhe me presidentët e skuadrave prestigjioze…”. Në anën tjetër, Silvia Moreshanti, e cila mbron Fabianin në gjyqin e Napolit dhe Bergamon në çështjen për dëmshpërblimin e “Telecom-Pirelli”, sulmoi ashpër federatën: “Gjatë gjyqit të ‘Telecom’-it në Milano doli se në vitin 2006, disa gjyqtarë dhe drejtues, mes të cilëve edhe Fabiani vëzhgoheshin dhe përgjoheshin. Në prill 2007, federata kishte informacion për atë që ndodhi. Çfarë masash mori FIGC ndaj Interit pasi Morati dhe Faketi urdhëruan përgjimet e njerëzve të futbollit (Vieri dhe De Santis)? Federata i ka këto dokumente dhe unë kam provat për këtë”.
Sipas informacioneve të fundit, gjykata do të shqyrtojë 15 mijë regjistrime të tjera, të cilat mund të ndryshojnë rrjedhën e skandalit. Ndërkohë, avokatët e Moxhit (Rodela, Trofino dhe Prioreski), kërkojnë që “gjyqi sportiv të bëhet nga e para”. Ata theksuan se provat që po dalin në dritë janë vetëm fillimi, ndërkohë që shfaqen agresivë: “Ata që ankohen për përmbajtjen e telefonatave me Bergamon (zyrtari që përcaktonte gjyqtarët e ndeshjeve), sillen në mënyrë diabolike. Nuk duhet të harrojmë se Moxhin e dënuan për krijimin e ‘strukturave të parregullta’; një akuzë që u formulua pasi nuk kishte asnjë parregullsi sportive. Tashmë, këto regjistrime, tregojnë se pavarësisht përmbajtjes së regjistrimeve, edhe drejtuesit e tjerë kishin lidhje të ngushta me përcaktuesit e arbitrave, duke shkelur nenin numër 1. Shkelja bëhet edhe më e rëndë, sepse këto telefonata janë fshehur nga protagonistët gjatë këtyre viteve. Nëse Moxhi u dënua se fliste me zyrtarët e federatës, duhet të dënohen edhe të tjerët”, shtoi avokati Paolo Rodela.