“Calciopoli”: Pas Moxhit, në përgjime del edhe Morati
Kutia e “Calciopolit” dhe e përgjimeve telefonike është rihapur dhe thuajse çdo ditë spikasin telefonata të reja me biseda të reja që rrezikojnë të përmbysin thuajse të gjitha verdiktet e dhëna në procesin penal, që po zhvillohet në Napoli ditët e fundit. Shtypi italian ka publikuar pikërisht në ditën e Pashkëve tekstin e një telefonate të bërë në janar 2005-së nga Xhiaçinto Faketi atëherë ish-president i Interit (ka dy vjet që ka ndërruar jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë), dhe ish-përcaktuesit të gjyqtarëve Paolo Bergamo, përpara një ndeshjeje në “San Siro” ndaj Sampdorias e mbetur në kujtesë për përmbysjen e paharrueshme zikaltër nga 0-2 në 3-2 brenda gjashtë minutave. Është një nga përgjimet pas të cilave është kapur edhe mbrojtja e Luçiano Moxhit për të treguar teorinë “të gjithë të fajshëm ose të gjithë të pafajshëm”, e përkufizuar nga ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit. Masimo Morati, para ndeshjes Inter-Bolonja, i cilësoi këto përgjigjet dhe publikime “ofensive dhe të turpshme”, si një “përpjekje të thyerjes së ndershmërisë”, që sipas mendimit të tij, janë në kërkim të rrëmujës së bisedave të mbetura edhe më sot në sirtarët e prokurorisë italiane.
Ja dhe teksti i përgjithshëm i bisedës telefonike në celular mes Faketit dhe Bergamos:
Faketi: “Alo Paolo, jam Faketi”.
Bergamo: “Mirëdita Xhiaçinto”.
Faketi: “Po shkoj në stadium, bisedova me të mitë për të pasur me Bertinin (gjyqtarin e ndeshjes), një farë takti, një farë gatishmërie. Ua thashë lojtarëve, Mançinit dhe të tjerëve…”
Bergamo: “Do të shohësh që ka për të qenë një ndeshje e bukur”.
Faketi: “Mirë”.
Bergamo: “Vjen i predispozuar (Bertini) të bëjë një ndeshje të bukur…”.
Faketi: “Po, po, në rregull”.
Bergamo: “Është një sfidë që do ta shohësh, do ta fitojmë së bashku”.
Faketi: “Doja vetëm të të thoja që e kam bërë (duke iu referuar faktit që ka folur me skuadrën për të mos mbajtur një sjellje të gabuar ndaj Bertinit)”.
Bergamo: “Do të shohësh që gjërat do të shkojnë siç duhet, pastaj skuadra po rifillon të ketë besim, të marrë rezultate, të ketë moral…”.
Galiani: Përgjimet e reja? Më mirë të hesht
Administratori i deleguar i Milanit Adriano Galiani ka refuzuar të komentojë përgjimet e reja telefonike të dala në ditët e fundit, ku përveç Interit është përfshirë në një farë mënyre, ndonëse në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, Milani: “Pas verës së 2006-ës, që më dha shumë vuajtje, bëra një betim për të mos folur më për çështjet e katër viteve më parë. Prandaj nuk dua të komentoj një faqe shumë të veçantë të futbollit italian. Po hesht dhe nuk gaboj më. A e kam një ide të asaj që është duke ndodhur? Po, por nuk e them…”, - përfundoi Galiani.
Përgjimet e reja të "Calciopilit 2", duket se janë vetëm fillimi i një “telenovele” të gjatë
Akti i dytë, skandali sa vjen e zgjerohet
Shumë juventinë nuk do të befasohen, teksa fakte të reja, lidhur me “Calciopoli”‑in u zbuluan këto kohët e fundit. Duket se Interi dhe Milani po kështu, me gjasa kanë pasur bisedime telefonike me përcaktuesin e gjyqtarëve të kohës, Paolo Bergamo. Tani shumë njerëz, që e kanë në zemër emrin e Juves dhe janë miliona, duke e bërë qëllim të jetës, parreshtur kanë ngritur gishtin akuzues drejt Interit, lidhur me “Calciopoli”‑in. Për shumë tifozë të futbollit italian, vështirë të mos jenë dyshues për një klub (Interin) që përfitoi kaq shumë nga shkatërrimi i klubit më të plotësuar të Italisë (Juventus). Me pak fjalë, me termin “Calciopoli” u quajt skandali i ndeshjeve të parapërcaktuara në Itali në 2006. Sidoqoftë, pas gjithë atyre hulumtimeve, asnjëherë nuk u gjet fajtor Juventusi për fiksim ndeshjesh. Në të vërtetë, një prej faktorëve madhorë të kalimit të tyre në Serinë B ishte se Luçiano Moxhi kishte pasur kontakte të shumta me gjyqtarë dhe drejtues të tyre, pra duke i dhënë Juves një avantazh të pandershëm. Kjo bëhet edhe më shumë interesante, kur sipas të përditshmes shumë të besueshme, “La Stampa”, gjykata e Napolit, ku po zhvillohet gjyqi aktual i “Calciopoli”‑it mësoi se u zbuluan shumë telefonata nga ana e Interit. I ndjeri Faketi dhe Masimo Morati i kanë bërë telefonata të shumta Bergamos për t’u ankuar mbi situatën e gjykimeve. Në kohën, kur u pyet kryehetuesi i skandalit, kolonel Aurikio, lidhur me hetimin, ai raportoi se thirrjet e regjistruar janë bërë të ditura, ndërkohë që të tjera, jo të raportuara u bënë publike me përmbledhje bisedash. Nëse është e vërtetë apo jo, për Interin gjithnjë do të mendohet se ka luajtur një rol të madh në atë skandal. Ajo që mirëfilli është shqetësuese është se gjykata çdo ditë mëson prova gjithnjë dhe më dëmtuese, prova se sa i korruptuar ka qenë futbolli italian. Që në momentin, kur punonjësja e “Telecom”‑it, Katerina Platea, pranoi se ishtë urdhëruar të shkatëronte regjistrime dhe të ndryshonte disa emra me të tjerë, doli qartë se skandali ishte shumë më tepër se sa vetëm Juventusi. Milani në fakt u kap dhe u akuzua, teksa një i punësuar i klubit, i ngarkuar me marrëdhëniet me gjyqtarët, zyrtarisht dhe rregullisht, Meani, verbalisht kërcënonte asistentët, duke kërkuar vendime më të favorshme nga gjyqtarët. Milani i shpëtoi fatit të Juves duke qëndruar në Serinë A, por duke iu zbritur pikë të shumta për sezonin e ri, me argumentin se Meani veproi me nismën e tij, pavarësisht se ishte i punësuar tek Milani.
Thuhet se ka regjistrime të diskutimit të çështjes me Galianin dhe Berluskonin, por që me gjasa nuk u përfshinë në hetim. Tani ka dalë se ka regjitrime telefonike të bisedave, Galiani-Bergamo.
Xhiuliano Tavaroli, shefi i sigurisë në “Telecom Italia” u arrestua pasi ia kishte shitur regjistrimet e thirrjeve private të tjerëve, duke pranuar se Morai ishte një prej klientëve. Fakti që me gjasa këto regjistrime mund të mos dëgjohen kurrë, pra duke mos i përfshirë në skandal blerësit, me ndëshkime pasuese, ashtu sikurse Milani u ndëshkua jo më ashpër të lenë pa gojë. Vetë Bergamo pranon se ai nuk ka folur vetëm me Juventusin. Italia vetë dëshiron ta davarisë këtë problem, pasi me gjasa se shumë nga këto individë të korruptuar, ende punojnë në botën e futbollit.
Ish-sekretari i UEFA-s rrëfen situatën e krijuar në “Calciopoli 1″: Titullin Interit ia dha Guido Rosi
Aigner: Morati mbrohej nga Juvja dhe Milani
Përgjimet e fundit të “Calciopolit”? Është e dukshme që Morati dhe të tjerët mbroheshin nga superfuqia në Ligë e Milanit dhe e Juventusit. Megjithatë ishte Guido Rosi dhe jo unë ai që ia dha titullin Interit në 2006-ën”. Gerhard Aigner, ish-sekretar i përgjithshëm i UEFA-s dhe shef i komisionit “të provave” (ajo që me një mendim gjyqësor lejon ridhënien e titullit pas heqjes së Juventusit), tregon të vërtetën e tij mbi skandalin dhe titullin e kundërshtuar: “Nuk isha unë, - tregon Aigneri, - por Guido Rosi që ia dha titullin në Itali Interit në 2006-ën. Unë dhashë vetëm një mendim pozitiv në bazë të statuteve mbi mundësinë e ridhënies së titullit pasi iu hoq Juventusit. Aigneri ndjek nga Zvicra të rejat mbi frontin e përgjimeve: “Telefonatat e Moratit? Origjina e gjithçkaje është në disekuilbrin që përjetonte atëherë Liga Italiane e Futbollit, me dy klube si Juvja e Milani, që pak a shumë drejtonin gjithçka, njëra me të drejtat televizive dhe presidencën dhe tjetra me ndërtimin që bëri dhe që i kushtoi pasoja drejtësisë sportive në relacion me fuqinë mbi gjyqtarët. Të tjerët, përfshirë Dela Valen e Fiorentinës, mbroheshin… Edhe pse të gjitha klubet e tjera pak a shumë e dinin… Në një mjedis të tillë është e paimagjinueshme që të qëndrosh në vend, secili kërkon të mbrohet. Por gjithçka lindi nga situata kritike me dy klube që drejtonin politikisht në Ligë dhe me kalimin e gjyqtarëve, nga niveli profesionist nën ombrellën e vetë Ligës. Kështu deri dhe gjyqtarët u përfshinë në këtë situatë”.