26 janar 2010

Skeraj provohet në Frankfurt

Agron Skeraj mund ta vazhdojë karrierën jashtë Kosovës. Futbollisti prizrenas po provohet tek FSV Frankfurt. Futbollisti kosovar i është bashkuar klubit nga Bundesliga 2 gjermane të hënën, ku e ka zhvilluar edhe stërvitjen e parë me klubin e ri.
21 vjeçari do të qëndrojë në prova tri ditë, kur edhe do të dihet përfundimisht nëse do të mbetet apo jo tek Frankfurt. Skeraj është optimist se mund ta kalojë testin tek klubi gjerman. “Jam i përgatitur sa duhet dhe jam shumë optimist se mund të kryej punë me Frankfurtin”, tha ish futbollisti i Lirisë.
Në rast se dështon transferimi tek FSV Frankfurt, Skeraj do të rikthehet për të luajtur tek Prishtina, të paktën deri në fund të sezonit.
“Nëse dështoj për të mbetur tek ky klub, është kohë e shkurtër që të provohem edhe diku tjetër, sepse afati kalimtar përfundon me 31 janar. Kështu që mund të kthehem në Prishtinë për 6 muaj, ndërsa gjatë verës do të vi sërish në Gjermani, ku synoj ta vazhdoj karrierën”, vazhdoi mesfushori i majtë kosovar.
FSV Frankfurt ka pësuar humbje të thellë nga Greuther Furth me rezultat 5:0, në xhiron e fundit të Bundesliga 2. Udhëheqësit e Frankfurt janë të frustruar me këtë rezultat, andaj kanë paralajmëruar ndryshime në ekip, para përfundimit të afatit kalimtar të janarit, me 31 janar.
Kështu, në provë tek ky klub po qëndrojnë tre futbollistë: Agron Skeraj nga FC Prishtina, braziliani Valmir (Palmeiras) dhe Kristjan Kulcar, nga klubi sllovak ND Mura.
Duhet cekur se tek FSV Frankfurt luan futbollisti tjetër shqiptar, Jurgen Gjasula. Pas xhiros së 19-të në Bundesliga 2 gjermane, FSV Frankfurt zë pozitën e parafundit në tabelë me 13 pikë të tubuara, sa ka edhe Tus Koblenz i “kolonisë shqiptarë”, që gjendet në vendin e 16-të.
Ndërkohë, në futbollin gjerman po provohet edhe një futbollist tjetër kosovar. Bëhet fjalë për mesfushorin e Trepçës, Bardhyl Kaçiu, që është duke u testuar tek Alemannia Aachen.