25 janar 2010

Ranieri: Përshëndeta lojtarët, jo drejtuesit

Trajneri verdhekuq “hakmerret”: Vetëm me Romën mund të fitoja kundër Juventusit

“Ka qenë fitorja e atyre që kanë besuar deri në fund”. Suksesi i parë kundër Juventusit nuk harrohet kurrë. “Mesa duket duhej të vija tek skuadra ime për të fituar kundër Juves”. Tekniku verdhekuq është shprehur entuziast pas fitores në fushën e bardhezinjve. “Kishte 9 vjet që Roma nuk fitonte në Torino, kemi shkuar atje për të fituar dhe ia kemi dalë mbanë. Jam i kënaqur mbi të gjitha për tifozët tanë, që kanë qenë të shumtë në Torino”. Tri pikë shumë të rëndësishme. “Ka qenë një ndeshje thelbësore, - ka vazhduar Ranieri, - dhamë maksimumin dhe fituam”. Pavarësisht largimit të Tonit pas vetëm 4 minutash lojë. “Nuk doja të rrezikoja Totin, kishte vetëm një javë që stërvitej. I thashë se do ta grumbulloja, por shpresoja të mos e aktivizoja. Ndërsa, është futur në fushë dhe ka shënuar”.

Në lidhje me titullin në kampionat. “Titullin është mirë t’ia lëmë Interit ose Milanit. Ne duhet të mendojmë të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të synojmë një vend në zonën e Champions. Juventusi? Jam i kënaqur për paraqitjen që kemi bërë në Torino. I përshëndeta të gjithë futbollistët, por jo drejtuesit”. Protagonist i papritur i ndeshjes, Xhon Arne Rise, i cili ka qenë vendimtar për Romën, duke shkaktuar marrjen e kartonit të kuq nga Bufoni dhe duke shënuar golin e fitores në minutat e fundit: “Eshtë një rezultat i rëndësishëm, kemi ditur të reagojmë pas disavantazhit. Ka qenë një provë e madhe nga e gjithë skuadra. Titulli? Eshtë shumë e vështirë, mendojmë vetëm për ta mbyllur kampionatin në katër vendet e para”, ka thënë Rise.