27 janar 2010

Leboo: Mezi pres të luaj para shikuesve të Prishtinës

Drejtori i përgjithshëm i KF Prishtinës, Edmond Rugova, tha: “Prishtina është dhe do të mbetet gjithmonë garuese për titull, pavarësisht se me çfarë situata do të ballafaqohet qoftë me fondin e futbollistëve, qoftë me çështjet financiare”.
Drejtori gjeneral i skuadrës së futbollit Prishtina, Edmond Rugova, në konferencë me gazetarë edhe zyrtarisht bëri të ditur lirimin e pesë futbollistëve. “Kemi liruar nga klubi Dardan Miftarin, Vebi Alievskin, Mensur Limanin, Ertan Hasan dhe Florim Humollin. Falënderoi të gjithë futbollistët e liruar nga skuadra në veçanti Florim Humollin, i cili për 16 vjet ka dhënë kontribut të madh në klubin e Prishtinës”, tha Rugova. Arsye e lirimit të këtyre futbollistëve, sipas drejtuesve të kampionit në fuqi, janë për shkak të shpenzimeve të mëdha, por edhe forma mesatare që dëshmuan këta futbollistë gjatë edicionit vjeshtor në Raiffeisen Superligën e Kosovës. Rugova tha se janë përforcuar me futbollistin amerikan, Haggai Leboo, i cili ka filluar stërvitjet me bardhë e kaltrit, ndërsa në muajin shkurt pritet t’i bashkëngjitet futbollisti tjetër nga Amerika, Timm Heinneman. Rugova prezantoj përforcimin Lebbo i ardhur nga Amerika si dhe Faton Zejnullahun, që vjen nga klubi vendas, Flamurtari i Prishtinës. “Futbollisti amerikan Leboo do të ketë rastin të shpalosë vlerat e tij dhe shpresoj se do të jetë një kombinim i mirë për skuadrën. Objektivi i Prishtinës mbetet që të luftojë për mbrojtjen e titullin”, theksoi Rugova. Me Leboon Prishtina ende nuk ka bërë kontratë, por pritet se shpejti të bëhet një gjë e tillë. Prishtina fazën përgatitor në muajin shkurt me gjasë do të zhvillojë në Ulqin të Malit të Zi. “Në muajin shkurt sipas të gjitha gjasave përgatitjet do t’i vazhdojmë edhe në Ulqin. Kemi paraparë edhe 4-6 ndeshje miqësore t’i zhvillojmë me skuadrat e ndryshme”, tha Rugova. Kryetrajneri Skënder Shengyli, duke e parë situatën e tashme në klub, ka thënë se do t’i pret punë shumë e vështirë në luftë për ta mbrojtur titullin e kampionit. “Shumë vështirë është të luftojmë për titull nga pozita e tashme ku jemi (vendi i tetë me 23 pikë) dhe për faktin se do të kemi një fond më të varfër të futbollistëve se në vjeshtë. Shpresoj se edhe kryesia do të gjejë një zëvendësim për këta pesë futbollistët e liruar”, nënvizoi Shengyli. Drejtori gjeneral tha në vazhdim se skuadra e Prishtinës është dhe do të mbetet gjithmonë garuese për titull, pavarësisht se me çfarë situata do të ballafaqohet qoftë më fondin e futbollistëve apo të çështjeve financiare. Sipas Rugovës, janë në kontakte me një portier cilësorë, por nuk ka treguar se për kënd bëhet fjalë. Përforcimi i ardhur nga Flamurtari, Zejnullahu, ka thënë se ndihet sikur të jetë në shtëpi të tij në klubin më të trofejshme, Prishtina. “Në Prishtinë më kanë pritur shumë mirë dhe më shkojnë punët mirë. Më duket vetja sikur të jem në shtëpinë time”, tha Zejnullahu. Leboo tha se mezi pret ta dëshmojë veten para adhuruesve të Prishtinës, njëherësh nëpër stadiumet e Kosovës. “Jam i impresionuar me kontaktet e para që kam pasur me njerëzit, të cilët janë të dashur dhe të shoqërueshëm. Mezi po pres të luaj para adhuruesve të skuadrës së Prishtinës si dhe në stadiume të tjera të Kosovës”, tha Leboo.