Emir Bajrami kushton 2,5 milionë euro
Stockholm, 26 janar - Mesfushori kosovar, Emir Bajrami, shpreson që të largohet nga Elfsborgu suedez për të luajtur në ndonjë ligë më të fortë evropiane. Mirëpo, këtë hap është i interesuar ta bëjë gjatë afatit të verës, jo tani. "Është shumë me rëndësi kur nis stërvitjet nga fillimi me një skuadër të re. Është e vështirë të kaloj në një skuadër të re tash, pasi atje është gjysma e stinorit dhe të gjithë janë në formën më të mirë", ka thënë Bajrami.Bajrami 21-vjeçar ka hedhur poshtë fjalët se Elfsborgu kërkon për të 5 milionë euro dëmshpërblim. Ai ka bërë të ditur se shuma që kërkohet për të është përgjysmë më e vogël. "Nuk është e vërtetë se Elfsborgu më vlerëson mua 5 milionë euro. Shuma është diku 2,5 milionë. Unë po rikthehem te skuadra ime, mirëpo kurrë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë deri në fund të afatit kalimtar. Unë e di se Elfsborgu nuk do të më ndal, nëse vjen ndonjë ofertë e mirë. Unë e kuptoj se ata nuk mund të më lirojnë për një milion euro, pasi Elfsborgu duhet të përfitojë", ka thënë Bajrami për gazetën suedeze "Aftonbladet". Bajrami me Elfsborgun ka kontratë me ekipin suedez deri më 31 dhjetor të vitit 2011. Bajrami gjatë këtij miniafati kalimtar është kërkuar nga skuadra e madhe portugeze, Sporting, mirëpo nuk u realizua ky transferim. Ai këtë javë debutoi me Përfaqësuesen A të Suedisë. U aktivizua nga fillimi në dy ndeshjet miqësore, përkatësisht kundër Omanit dhe Sirisë. "Bajrami është një lojtar mjaft interesant dhe ka lënë përshtypje të mira. Ai është ende 21 vjeç", ka thënë trajneri i Suedisë, Erik Hamren.