25 janar 2010

Degjeneron derbi Tirana-Dinamo, damkoset tërë futbolli shqiptar!

“Mos të raftë, që ta harrosh të keqen”. Kjo shprehje e mencur e popullit tonë është materializuar më së miri në dy ditët e fundit në futbollin shqiptar. Ende pa u shuar jehona e asaj që ngjau në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari-Besa, ndoshta akoma pa përfunduar edhe relacionet e sfidës në fjalë në FSHF, është njollosur edhe derbi i kryeqytetit, Tirana-Dinamo. E bashkë me të është damkosur keqas tërë futbolli ynë. Tapeti i blertë i ndërkombëtarit “Qemal Stafa”është kthyer në njëfarë ringu, ku lojtarët nuk janë goditur me grushta, por kokë me kokë. Aq sa Bakaj i Dinamos ka patur nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, pasi koka e fashuar kishte pësuar një hematomë të madhe, sipas mjekut të Dinamos, Pertef Rusi. E si të mos mjaftonte kjo, dalja e sulmuesit dinamovit nga dhomat e zhveshjes së stadiumit është bërë me eskortë, me katër-pesë forca policore civile, për të evituar cdolloj incidenti jashtë. Sepse situata ka qenë aq e tensionuar, sa nuk mund të mbahet mend në stadiumet shqiptare, e jo më mu në zemër të kryeqytetit. Vetë fakti se të pranishëm në mjediset e “Qemal Stafës”, pas ndeshjes, kanë qenë duke u marrë me sigurimin e rendit drejtuesit e lartë të policisë së shtetit, Agron Kolici dhe Tonin Vocaj, tregon për “produktin” që ka prodhuar ky derbi. I cili, në të vërtetë, ka patur aktorë më vete edhe gjyqtarët e ndeshjes. Që janë cilësuar nga drejtuesit e Tiranës si shkaktarët e gjithckaje që ndodhi, me veprimet e tyre të njëanshme. “Futbolli vdiq, kampionati le të luhet vetëm për formalitet!” Kjo deklaratë e presidentit të Tiranës, është alarmi më i madh, ku “shfaqjet” e Vlorës dhe “Qemal Stafës” nuk të lënë asnjë mundësi për ndëerdyshtje apo shumë interpretime. Kampionati i superligës është futur në një qorrsokak, madje të rrezikshëm, ku duket se po vihet në mëdyshje edhe vetë jeta e lojtarëve. Koka e fashuar dhe plot hematoma e Elis Bakajt, që nxirrej nga stadiumi me një eskortë policësh, për ta dërguar në spital, për të bërë diagnostikimin e duhur, është akuza më domethënëse e situatës krejtësisht të pazakontë në futbollin tonë. Dhe të mendosh se jemi në fillimin e fazës së dytë, kur shanset për të gjithë janë akoma optimale, si në luftën për titull, ashtu edhe për mbijetesë, cfarë mund të presim në fazën e tretë? Rrethimi i shumëfishtë i dhomave të zhveshjes së lojtarëve, ashtu si holli i stadiumit kombëtar, me dhjetëra forca policie, të cilat nuk kanë lejuar as gazetërat për më shumë se gjysmë ore të hyjnë e të bëjnë punën e tyre, tregon se alarmi është real, mëse i vërtetë.
Shkëkndijat e para të këtij acarimi të skajshëm të derbit janë dhënë me nxjerrjen e kartonit të dytë të kuq për Tiranën, nga gjyqtari Pashaj. Gjatë tërë kohës i kontestuar nga bardheblutë, bashkë me anësorin Ergin Doda. Sipas drejtuesve të Tiranës, një rast të tillë, “fotokopje” të Nallbanit, kishte konsumuar më përpara edhe portieri dinamovit, Kotorri, momentin e penalltisë së fituar dhe kthyer në gol nga Muzaka. Por gjyqtari Pashaj ka nxjerrë vetëm kartonin e verdhë, edhe pse Kotorri ishte lojtari i fundit të Dinamos. Pretendimet e 24 herë kampionëve të vendit ishin se, krejt ndryshe, në rastin e Nallbanit, Bardhyl Pashaj nuk është menduar dy herë, por ka treguar të kuqen. Pas këtij momenti, situata është nxehur jashtë mase. Ka qenë një ndërhyrje nga pas e Kulit të Dinamos, shkaktuar ndaj Mukës, afër vijës ballore të portës së Kotorrit, cka e ka detyruar kapitenin bardheblu të shfryjë nervat. Duke shtyrë kavajasin blu. Ky i fundit ka reaguar, ndërkohë që kokat e të dy lojtarëve kanë provuar se “cila është më e fortë”. Muka është larguar paksa nga “vatra” e tensionit, duke debatuar me Bakajn. Pasi kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin, kapiteni i Tiranës e ka goditur paksa me kohë sulmuesin dinamovit. Menjëherë, gjyqtari Pashaj u nxjerr të dyve kartonin e kuq. Por “dyluftimi” nuk kishte mbaruar ende. Duke dalë nga fusha, konfrontimi vijon më tej, teksa Muka e godet me kokë Bakajn, ndërkohë që ky i fundit shtrihet përtokë për momentin. Tërë stafet e të dyja skuadrave përfshihen në një zënkë masive, ndërkohë që mjaft tifozë hidhen nga shkallët e stadiumit dhe futen në fushë. Po kështu, dhjetëra forca policore shkelin tapetin e blertë për të neutralizuar ndonjë ndodhi të pakëndshme. Nuk mund të bëhet më fjalë për futboll, por për të rënë sa më parë bilbili i fundit i gjyqtarit, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund këtij derbi të kthyer në absurd. Ankthi spostohet në dhomat e zhveshjes, kur dhjetëra forca policore janë të angazhuara për të garantuar qetësinë. Aq sa nuk lejohen të hyjnë as gazetarët, për të marrë informacionet e pasndeshjes. Gjithsesi, pas rreth gjysmë ore nga mbarimi i ndeshjes, situata është “ftohur” dhe kështu, lojtarët e të dyja skuadrave dalin nga stadiumi, për t’i dhënë kështu mundësinë edhe medias të kryejë punën e vet. Nëse trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muca, e ka konsideruar të merituar fitoren e tij, në kampin bardheblu akuzat vërshojnë lumë. Sidomos ndaj sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, shefit të sektorit të garave dhe shefit të gjyqtarëve në FSHF, të pranishëm në vendngjarje, të cilët, të tre, përvec policisë, janë parë në rresht te dera e dhomës së gjyqtarëve, si duket edhe ata në mbrojtje të tyre. Sepse acarimi i pjesës bardheblu karshi tyre nuk njihte limite. Ka folur trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, bashkë me presidentin Refik Halili. I pari e ka konsideruar turp, që një skuadër, Dinamo, sipas tij me brekë nëpër këmbë, të favorizohet kaq hapur nga të gjithë, që të shkojë e qetë drejt titullit kampion, ndërsa i dyti i ka vlerësuar si “hajdutë” të gjithë drejtuesit e futbollit shqiptar. Me të cilët, ka nënvizuar Halili, do të ballafaqohet në Prokurori, për shumë dosje, të cilave nuk u ka vënë “emër”.
Në këtë mënyrë, derbi i shumëpritur i kryeqytetit është kthyer në damkosjen e futbollit tonë, për vetë mënyrën si u zhvillua, për incidentet që përcolli dhe tensionin e lartë brenda caqeve të një stadiumi, që jo vetëm tejkaluan ndodhitë e Vlorës një ditë më parë, por duhet ta kesh memorien shumë të freskët, që t’u gjesh krahasim.
Po cfarë “prodhoi” derbi në fjalë, vec tensionit maksimal dhe dhunës, si futboll të luajtur? Ndeshja u “skuq” që në minutën e 7-të, kur mbrojtësi i Tiranës Ditmar Bici u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë bardhlutë me 10 lojtarë për pjesën tjetër të ndeshjes. Dukej se u përsërit e njëjta skenë si e takimit të fazës së parë, kur dhe në atë takim të humbur nga Tirana, po 2-1 (java 7), pikërisht në debutimin në bankinë të trajnerit Alban Tafaj, u ndëshkua me karton të kuq, sulmuesi bardheblu Migen Memelli, i rikthuer pas një dëmtimi disamujor.
Në minutën e 45-të, Gjergji Muzaka fiton një penallti, duke e shndërruar po vetë në gol, e duke mbyllur pjesën e parë në avantazh. Pjesa e dytë është një maskaradë e vërtetë. Në minutën e 67-të, gjyqtari Bardhyl Pashaj ndëshkon me të kuqe edhe portierin bardheblu, Nallbanin, pas një ndërhyrjeje të parregullt jashtë zone. Goditja e dënimit ekzekutohet nga Bakaj dhe me kokë, Malakarne barazon rezultatin. Tre minuta para përfundimit të lojës, Bakaj shënon golin e dytë dhe të fitores për blutë.