26 janar 2010

Bajerni: Mund të shënonim 10 gola

Van Gal dhe Roben flasin më shumë për rastet e humbura nga bavarezët në fitoren ndaj Verderit
Bajerni i Mynihut i është gëzuar pa masë golit të mrekullueshëm të Arjen Robenit, që i dha fitoren 3-2 në fushën e Verder Bremenit, duke marrë përkohësisht kryesimin e Bundesligës. Edhe trajneri Luis van Gal qe shumë i lumtur për atë gol. Kjo ishte fitorja e tetë radhazi i Bajernit në të gjitha kompeticionet dhe e gjashta në Bundesligë, duke kaluar pas asaj ndeshjeje një pikë përpara Leverkuesnit, që e kishte ndeshjen dje. Golat e shënuar nga Tomas Myler dhe Ivica Oliç e kaluan Bajernin në epërsi para se Robeni të lëshonte një silur nga goditja e lirë, që përfundoi në traversë dhe në rrjetën anësore të portierit Tim Vise, që nuk pati shans ta priste. “Jam trajner shumë i lumtur”, ka thënë Van Gal pas fitores.
“Verder Bremeni janë një skuadër që rrezikon dhe ne përfituam nga kjo. Isha i kënaqur që ne luajtëm në sulm, por fatkeqësisht ne humbëm shumë raste. Eshtë e pabesueshme që mezi fituam 3-2, pasi duhet të kishim shënuar më shumë. Luajtëm mirë, por humbëm shumë raste. Kjo do të thoshte se ne në bankinë ishim në stres deri në fund. Kundër Verderit nuk është kurrë e lehtë.” Arjen Roben, që mbushi 26 vjeç ditën e ndeshjes, ka pohuar se nëse do të kishte shënuar rastet e ndeshjes kundër Verderit, do ta kishte lënë pas Stefan Kislingun e Leverkusenit për sa i përket golave të shënuar në Bundesligë. “Jemi duke shkuar në rrugën e duhur dhe po luajmë futboll të bukur. Mund të shënonim dhjetë gola, por humbëm shumë raste, përfshij edhe veten time këtu. Mund të kisha lënë pas edhe Kislingun për numrin e golave të shënuar. Megjithatë, ndonjëherë realizon gola të vështirë dhe të lehtët nuk bëhen”, ka përfunduar Robeni.