28 tetor 2009

Tifozët e Lacios, protesta kundër drejtuesve

Tifozët e Lacios nuk janë dakord dhe kanë vendosur të kontestojnë, në “Formelo”, në prag të ndeshjes në “Olimpiko” me Kaljarin. Në qendrën sportive të klubit bardhekaltër kanë qenë të pranishëm edhe forcat e policisë, ndërhyrja e të cilave nuk ka qenë e nevojshme. Në shenjestër të tifozerisë kanë përfunduar mbi të gjithë lojtarët, të përkufizuar si “mercenarë”.

Ndërsa, ka patur kore të ‘personalizuara’ për presidentin Lotito, Taren, Balardinin, Kolarovin dhe Rokin. “Mercenarë! Besimi ynë nuk duhet tradhëtuar”: Kjo ka qenë thirrja që është dëgjuar më shpesh. Në shënjestrën e tifozëve ka përfunduar edhe kapiteni Tomazo Roki, i cili fajësohet për faktin se ka pranuar të gjitha zgjedhjet e bëra nga Lotito, duke bërë të mundur edhe përjashtimin e ‘rebelëve’ Ledezma dhe Pandev. Nuk është kursyer as Balardini (”shërbyes i Lotitos, kthehu në Palermo”), dhe Kolarov, autor i një veprimi të shëmtuar kundrejt tifozerisë bardhekaltër.