01 tetor 2009

Rekordi i Balotelit: sa gola, aq kartona

Me fanellën e Interit, italiani me origjinë ganeze ka shënuar gjithsej 17 gola, aq sa ka marrë edhe kartona të verdhë.Tashmë ai është “baby boy” i futbollit italian. Është një nga ata që i lejon vetes të bëjë çdo gjë: t’ia mbyllë gojën Kristiano Ronaldos, apo të sfidojë tifozët ultras të Romës. Është një nga ata që në fakt, nuk e ka problem që ndonjëherë të vërë vetë drejtësinë në vend.
Por ama statistikat tregojnë se kartoni i kuq i marrë të martën në Rusi është i pari për Balotelin me fanellën zikaltër. Ai e provoi këtë në kombëtaren italiane të 21-vjeçarëve gjatë kampionatit europian: u nxorr jashtë pas një faulli të rëndë, pasi kishte shënuar në atë ndeshje.
Sepse i tillë është Mario Baloteli, shpesh herë rrëmbehet. Me dy kartonat e verdhë të marrë ndaj Rubin Kazanit, sulmuesi zikaltër arriti në kuotën e 17 ndëshkimeve. Aq sa është edhe numri i golave të shënuar.
Sigurisht që të martën në Kazan ishte ndër më të mirët në fushë: prandaj kartoni i kuq ka zemëruar shokët e skuadrës dhe Moratin, i cili nuk përjashton masat ndaj tij.
20-vjeçari ka kërkuar falje në faqen zyrtare të klubit në internet si dhe në stërvitjen e sotme para skuadrës.
Veprime për t’u vlerësuar: por sa keq që për Marion tani problemi është Mourinjo, i cili tashmë e sheh sulmuesin e tij si një pacient të pashërueshëm.
Prirja e “Të veçantit” për ta aktivizuar Balotelin gjithnjë e më pak është në rritje. Por me problemin që po kalon Milito, të shtunën kundër Udinezes, e vetmja zgjidhje e detyruar për trajnerin portugez është t’u japë hapësira të rinjve.
Si Balotelit, ashtu edhe Santonit, që gaboi ndaj Sampdorias, por që mund të jetë i nevojshëm në ndeshjen e radhës, duke parë skualifikimin e Maikonit.