Pas dorëheqjes së Ilija Lonçareviçit, drejtuesit bardheblu kanë vendosur që t’ia besojnë drejtimin e skuadrës ish-kapitenit Nevil Dede.Kjo është një zgjidhje emergjente, e diktuar nga dorëheqja e kroatit, por që ka marrë bekimin e presidentit Halili deri në fund të këtij sezoni. E vetmja pengesë, nëse këmbëngul FSHF-ja, për Nevil Deden mund të jetë mospasja e licensës përkatëse, jo më e nivelit UEFA B, siç duhet në superligë, por e asnjë lloji, pasi as vetë Dede nuk e kishte parashikuar të bëhej trajner kaq shpejt. Madje ai i është bashkuar Tiranës në ditët e fundit të merkatos verore, si futbollist i saj, për ta ndihmuar në realizimin e objektivave. Por, karriera e tij ka marrë një kthesë 180 gradë dhe krejtësisht të papritur, teksa “gdhihet“ trajner i Tiranës, ku lindi dhe u rrit si futbollist, me të cilën ka fituar disa tituj kampioni, por në disa raste ka provuar edhe “divorce“ jo fort të këndshme. Situata aktuale te Tirana është shumë e nderë, ndaj detyra e marrë përsipër nga Dede duket mjaft e vështirë dhe delikate. Debutimin si trajner bardheblu duhet ta bëjë në një derbi me Dinamon, kryesuesen e kampionatit dhe që konsiderohet si skuadra më e kompletuar e këtij sezoni. Ndoshta drejtuesit e Tiranës kanë dashur të imitojnë Milanin dhe Juventusin, që caktuan trajnerë të skuadrave të tyre ish-lojtarë, Leonardon dhe Ferrarën, por këta të fundit, të paktën kishin mbaruar të gjitha etapat e kualifikimit dhe licensimit si të tillë, ndërkohë që Dede as e ka bërë “sefte“ në këtë drejtim. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë se sa e goditur mund të jetë kjo zgjidhje, vërtet surprizë, jo vetëm për mjedisin bardheblu, por edhe atë sportiv shqiptar. Kujtojmë se stolin bardheblu e refuzoi një tjetër ikonë e Tiranës, bashkëkohës i Dedes, Indrit Fortuzi, me justifikimin se situata aspak e këndshme aty ishte e tepërt për të si trajner.Zyrtarizimi dhe prezantimi i Dedes në krye të stolit bardheblu do të bëhet të martën, pasi vendimi përfundimtar për emrin e tij, si pasues i Lonçareviçit, është arritur në ndërrimin e dy ditëve, në kapërcyell të së hënës, rreth orës 23:30.Pas këtij vendimi, vetë Dede ka thënë vetëm një fjali: “Një përgjegjësi mjaft e madhe në një situatë të vështirë, të cilën, në emër të Tiranës jam i detyruar ta shoh në sy dhe të mos i shmangem”.