06 tetor 2009

Diego: Palermoja duhet të na bëjë të mendojmë

Fantazisti brazilian i Juventusit flet pas humbjes ndaj Palermos: “Bëmë shumë gabime dhe ky rezultat na detyron të mendojmë për t’u përmirësuar.”
Humbja në Palermo duket se ka lënë shenjë në shtëpinë bardhezi, por Diego mendon se duhet parë përpara. “Humbëm tre pikë të rëndësishme dhe mundësinë për tëqenë në krye të klasifikimit,” tha braziliani.

Më tej, numri 10 i “Zonjës” shtoi: “Ndeshëm në një mbrojtje të organizuar mirë, të cilën nuk arritëm ta thyejmë. Por bëmë edhe shumë gabime, duke pësuar dy gola. Ky rezultat na detyron të mendojmë, kemi dy javë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen tjetër.”

“Kthehemi nga Palermo me një humbje që duhet të na bëjë të reflektojmë mbi gjërat që nuk funksionuan në atë ndeshje.” Këto janë fjalët e Alesandro Del Pieros, i cili komenton dështimin e së dielës.

“Në të njëjtën kohë, duhet të na shërbejë si pikënisje për të vazhduar rrugën e suksesit që e kishim nisur në fillim të sezonit – ka shtuar më tej kapiteni bardhezi -.

Jemi ende në vendet e larta të klasifikimit dhe mund të rifitojmë terrenin e humbur. Pas kësaj ndeshjeje mbyllet cikli i ndeshjeve afër në kohë dhe ndërprerja e kampionatit për ndeshjet e ekipeve kombëtare do të na japë mundësinë të qartësojmë idetë për t’u rikthyer në fushë duke qenë të bindur në forcat tona dhe për të përgatitur sa më mirë ndeshjen në shtëpi kundër Fiorentinës.”

Ndërkohë, të mërkurën është vendosur që të bëhet grumbullimi për përgatitjen e ndeshjes së radhës. Shumë lojtarë që janë thirrur me kombëtaret e tyre nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Ferrara.

Njëri prej atyre që nuk do të largohet është mesfushori brazilan, Felipe Melo. Ai është i pezulluar dhe nuk mund të luajë me kombëtaren e Dungës për dy ndeshjet që Brazili do të luajë këtë javë.