20 tetor 2009

Kaka: Ta nxjerrim jashtë Milanin!

Ish-mesfushori kuqezi, tashmë tek Real Madridi, Kaka, ka deklaruar se Reali është klub më i madh se Milani.“Real Madridi është klub më i madh se Milani në nivel botëror”. Ky është mendimi i ish-brazilianit të Milanit, i cili tashmë ka veshur fanellën e “Galaktikëve”, Kaka. Gjatë konferencës për shtyp para takimit ndaj skuadrës ku luajti për gjashtë vjet, braziliani nuk i është shmangur pyeteve provokuese të gazetarëve.
Ai është i gatshëm të luajë dhe të shënojë kundër kuqezinjve dhe mendon se për Realin është më mirë që Milani të eliminohet nga Liga e Kampionëve që në fazën e grupeve.
“Nëse shënoj nuk do të festoj, por nëse do të na jepet një penallti, do ta gjuaj, duke qenë se edhe Kristiano Ronaldo mungon – shtoi ish-“Topi i Artë 2007” -. Do të kërkoj të bëj gol, por kam respekt për historinë e Milanit”.
Kaka u shpreh se nuk e di se si do të reagojë kur të luajë kundër ish-skuadrës . “Është diçka e re për mua, të shohim se si do të shkojë nesër – tha braziliani -. Por jam profesionist, luaj për Realin dhe do të përpiqem të bëj më të mirën”.
Në lidhje me pyetjen nëse do t’i pëlqente të luajë në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Milanit, Kaka iu përgjigj shkurt: “Më mirë jo”.