Trajneri i juventusit flet në prag të ndeshjes kundër Makabi Haifas, duke kërkuar patjetër tri pikët nga skuadra e tij në takimin e të mërkurës.Nuk lejohen më justifikime për Juventusin. Urdhri i Çiro Ferraras është i qartë: “Kundër Makabit jemi të detyruar të fitojmë”. Toni është i prerë dhe trajneri e ka seriozisht.
Rreth një muaj pas fitores së fundit, “Zonja” ka vetëm një rezultat në dispozicion në ndeshjen e vlefshme për grupin e parë të Ligës së Kampionëve, për të hedhur tej shenjat e një krize të mundshme. Dhe për ta bërë këtë, Ferrara është i gatshëm të heqë dorë nga skemat e tij, për t’iu përshtatur kundërshtarit.
“Jemi të detyruar të fitojmë. Në Ligën e Kampionëve ke pak mundësi për të rikuperuar. Kemi barazuar me Bordonë, prandaj i kemi tepër të nevojshme tri pikët në këtë ndeshje. Megjithatë, nuk jemi në krizë. Kemi disa ndeshje që nuk fitojmë dhe duhet t’i japim fund kësaj situate, duke u rikthyer tek suksesi”, tha trajneri bardhezi.
Në lidhje me skemën që do të përdorë në përballjen e ditës së mërkurë, Ferrara shtoi: “Kemi provuar një skemë tjetër së fundi, atë 4-2-3-1, por duhet të presim deri nesër. Përveç të dëmtuarve, të gjithë të tjerët janë në dispozicion. Ndryshimi i skemës? Kjo mund të bëhet në varësi të formës që po kalon skuadra, ose në varësi të kundërshtarit. Juve ishte mësuar të luante me 4-4-2 dhe kalimi në 4-3-1-2 nuk kaloi pa probleme. Na është dashur të ndryshojmë shpesh herë modelin e lojës, në varësi të kundërshtarit”, përfundoi Çiro Ferrara.