27 tetor 2009

Elkan “paralajmëron” Juven: Këtë vit dua trofe!

Pronari i klubit bardhezi, Xhon Elkan, ka deklaruar se nuk do të jetë i kënaqur me një vend të dytë në kampionat dhe ne çerekfinalen në Ligën e Kampionëve.
“Ajo që presim tani janë fitoret. Nuk do të firmos për një vend të dytë në kampionat dhe në çerekfinalen e Champions-it”. Këto janë fjalët e Xhon Elkan, në një intervistë për të përditshmen sportive italiane “La Gazzetta dello Sport”.

Ai ka “paralajmëruar” skuadrën dhe trajnerin Ferrara se nuk do të jetë i kënaqur me një sezon të mirë, por pa suksese. “Blank mund ta drejtojë mirë shoqërinë – vijoi pasardhësi i familjes Anjeli – por e rëndësishme ishte të përcaktohej mirë se kush kryesonte”.

Fjalë që mund të tingëllojnë keq në përplasjet me presidentin në largim të juventusit, Xhovani Koboli Xhilji. Por Elkan sqaron menjëherë: “Xhovani është një person që e vlerësoj dhe që ka dhënë shumë për klubin. E njeh mjaft mirë botën e sportit”.

Pastaj një mendim edhe për protagonistët e skuadrës: “Del Piero është një lojtar i madh, që i ka dhënë shumë skuadrës. Ekipi e ndien mungesën e tij në ndeshje. Diego është një blerje e madhe, me siguri që do t’i kishte pëlqyer gjyshit tim, Xhani, edhe pse ky është një kampionat shumë i vështirë dhe ai duhet të gjejë hapësirat e nevojshme. Ferrara? Kemi besim të plotë tek ai dhe tek skuadra që kemi ndërtuar. Por në këtë moment nuk po ecim mirë, skuadra duhet të mësojë të luajë së në grup”.