20 tetor 2009

Drogba kërkon historinë: Bregu, kampion bote!

Sulmuesi i Çelsit dhe Bregut të Fildishtë: Jemi një grup cilësor futbollistësh dhe rivalët do të shqetësohen

Duke qenë një skuadër që ka shumë yje në formacionin e saj, Bregu i Fildishtë pritet të jetë krenaria e skuadrave afrikane për Kupën e Botës, Afrika e Jugut 2010. Lojtarët më të njohur të kësaj përfaqësueseje nuk e fshehin dëshirën për t’u konsideruar pretendentë të turneut. Bregu i Fildishtë është vendi i tretë afrikan që siguroi kualifikimin në botëror falë golit të kapitenit Didië Drogba, i cili i çoi “Elefantët” për herë të dytë në Kupën e Botës. Në këtë intervistë, Didië Drogba tregon pritshmëritë e tij për botërorin.

- Ju shënuat golin vendimtar, që i dha Bregut të Fildishtë biletën për në Kupën e Botës 2010. Si ndiheni që u kualifikuat për botërorin e parë në tokën afrikane?

- Para së gjithash, dua të theksoj se suksesi është i tërë skuadrës. Çdo gjë që arrijmë, e arrijmë si skuadër. Goli ishte i rëndësishëm jo vetëm për mua, por për të gjithë shokët e skuadrës. Jemi të lumtur që do të jemi pjesë e këtij botërori, jemi krenarë që do të jemi në Afrikë të Jugut. Ne besojmë se ky botëror është një mundësi e madhe për afrikanët që t’i tregojnë botës se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Tani është koha të jemi krenarë që jemi afrikanë. E dimë se kjo Kupë Bote do të ndryshojë shumë stereotipe rreth Afrikës, do t’i njohë njerëzit me këtë kontinent të bukur.

- Prej jush dhe skuadrës suaj pritet shumë në këtë botëror.

- Njerëzit presin shumë prej nesh tani. Ne kemi fituar shumë ndeshje dhe kemi luajtur futboll të bukur. Nga pikëvështrimi im, dua të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat. Ne nuk luajmë për lavdi individuale, por për skuadrën. Në Kupën e Botës, ne nuk do të përfaqësojmë vetëm popullin e Bregut të Fildishtë, por miliona afrikanë. Ne nuk do të jemi në Afrikë të Jugut sa për statistika, por për të garuar me dinjtet.

- Njerëzit thonë se ky është rasti më i mirë që një skuadër afrikane të arrijë në gjysmëfinale ose të fitojë Kupën e Botës. A mendoni se Bregu i Fildishtë mund ta arrijë këtë sukses?

- Më duhet të them se do të jetë një sfidë shumë e madhe, por jemi të motivuar për këtë botëror. E dimë se nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse do të kemi përballë skaudra të mëdha si Brazili dhe Gjermania, që kanë fituar Kupën e Botës në të shkuarën. Unë dhe shokët e mi të skuadrës duam të ndryshojmë mënyrën se si e shohin të tjerët Afrikën. Kjo Kupë Bote është një nder i madh që u bëhet popujve të Afrikës. Eshtë nder i madh për ne si afrikanë që të luajmë në këtë turne, në tokën afrikane. Ajo që na mbetet neve është të përpiqemi deri në fund që t’i tregojmë botës se çfarë jemi të aftë të bëjmë. Ne kemi skuadra të mira si Gana, Egjipti, Kameruni dhe Bregu i Fildishtë, skuadra që kanë disa nga lojtarët më të mirë të botës. Le të presim dhe të shohim se çfarë do të themi pas finaleve të botërorit.

- Po për skuadrën vendase, Afrikën e Jugut?

- Kur nisa të luaja futboll me përfaqësuesen, Afrika e Jugut ishte një përfaqësuese shumë e fortë. Si çdo skuadër tjetër, ata po kalojnë momente të vështira, por i pamë në Kupën e Konfederatave që ishin në formë të mirë.

- Në Kupën e Botës 2006 na është krijuar përshtypja se Bregu i Fildishtë arriti më pak se ç’mund të arrinte, duke marrë në konsideratë lojën që bëtë. Kishit një skuadër të mirë, por nuk e kaluat fazën e grupeve.

- Kemi mësuar shumë nga ai botëror. Ishte pjesëmarrja jonë e parë në një Kupë Bote dhe ishim të lumtur që gjendeshim në Gjermani. Të themi të drejtën, grupi ynë ishte goxha i fortë. Kur luan kundër skuadrave më të mira të botës, nuk e ke të lehtë. Por nuk kemi pse justifikohemi. Personalisht, ndiej se mund të kishim shkuar më larg. Luajtëm futboll të mirë. Ndonjëherë ke nevojë edhe për pak fat. Tani jemi më të përgatitur. E dimë se çfarë na pret në atë nivel. Gjëja më e rëndësishme është që kemi ruajtur bërthamën e skuadrës sonë, jemi po ajo familje. Nuk e dimë se kë do të kemi në grup, por nuk shqetësohemi fare. Kundërshtarët duhet të shqetësohen prej nesh. Ne nuk do të humbim kohë duke menduar për ta.

- Cili ka qenë sekreti i përfaqësueses suaj?

- Ne jemi si një familje e madhe, djemtë kuptohen me njëri-tjetrin. Në çdo skuadër ka yje, por e rëndësishme është që të kenë gjëra të përbashkëta dhe të jenë sa më pranë njëri-tjetrit. Ne të gjithë e duam vendin tonë dhe duam të luajmë për të. Synimi ynë është ta bëjmë popullin tonë krenar. Njerëzit na pyesin se ku është sekreti ynë, por sinqerisht nuk ka sekrete. Ne punojmë shumë dhe pa u lodhur.

- Sezonin që shkoi ju nuk e patët të lehtë te Çelsi. Si e keni arritur formën tuaj aktuale te Çelsi?

- Në futboll ka sezone të mira dhe jo aq të mira dhe sezoni i shkuar ishte njëri prej tyre. Megjithatë, nuk mendoj se nuk ishte një sezon aq i keq sa thonë njerëzit. Por tashmë i përket së shkuarës, tani jam duke luajtur mirë dhe jam i lumtur.