Sulmuesi i Chelseat, Salomon Kalou, ka pranuar lëvdata nga menaxheri i klubit Carlo Ancelotti, për paraqitjen e mbrëmshme në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madrid.
Lojtari nga Bregu i Fildishtë shënoi dy gola, një në fund të pjesës së parë (41’) dhe një në fillim të pjesës së dytë (52’), për të ndihmuar blutë të shënojnë fitore me rezultat 4-0 ndaj ekipit spanjoll.
“Ndeshja ishte e ekuilibruar. Por pas golit të parë të Kalou ne bëmë një lojë të mirë, një ndryshim në sulm dhe luajtëm shumë mirë. Kalou është një lojtar i rëndësishëm për ne, pasi kur jemi pa Drogban, ai mund të luajë dhe të luajë mirë”.
“Ai e filloi ndeshjen jo aq mirë pasi bëri disa gabime të mëdha, por pati motivim dhe fokusim të mirë në këtë ndeshje për të shënuar dy herë më pas. Për të ka qenë shumë e rëndësishme të shënojë. Edhe për ne. Ai luajti shumë mirë”, ka thënë Ancelotti pas ndeshjes.