25 janar 2010

Rooney: Rekord gola

Wayne Rooney synon rekord të golave për Manchester Unitedin. Sulmuesi anglez shënoi katër gola të shtunën në fitoren 4-0 kundër Hull Cityt dhe kaloi në kuotën e 19 golave nga 23 ndeshje në Premierligë. Ai thotë se dëshiron të vazhdojë me këtë ritëm – lajm i mirë për Djajtë e Kuq dhe Anglinë para Kampionatit botëror.Wayne Rooney synon të kalojë rekordin e tij prej 23 golave në një sezon pas shënimit të katër golave në fitoren e Manchester Unitedit 4-0 ndaj Hull Cityt, të shtunën.

Sulmuesi 24 vjeç siguroi që Djajtë e Kuq të kalojnë në pozitën e parë në Premierligë, ndërsa arriti në kuotën e 19 golave nga 23 ndeshje.

“Është hera e parë që kam shënuar katër gola në një ndeshje profesionale dhe është ndjenjë e mirë. Jam krenar me këtë arritje. Është diçka e veçantë. Besoj se mund të mposht sezonin tim më të mirë në Manchester United”, deklaroi Rooney.

Reprezentuesi anglez ka shtuar se do të ishte i “dëshpëruar” nëse nuk mposht rekordin e tij të kaluar për Djajtë e Kuq.

“Shpresoj të kem edhe 20 ndeshje të tjera për të luajtur, nuk do të jem i lumtur nëse nuk e kaloj kuotën e 23 golave. Dallimi mes këtij sezoni është se vazhdimisht kam qenë në zonë dhe jam munduar të gjendem në sa më tepër raste për shënim”, shtoi ai.

Rooney u bë futbollisti i parë i Manchester Unitedit që shënoi katër gola në një ndeshje prej kur Ruud van Nistelrooy kishte realizuar në përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Sparta Pragës në nëntor 2004.

Forma e tij e jashtëzakonshme ka ardhur në kohën më të mirë për kampionin, derisa mundohen të mbrojnë me sukses titullin e tyre. Selektori i Anglisë, Fabio Capello do të jetë i lumtur kur dëgjon për paraqitjen e Rooneyt që zgjoi lëvdata edhe nga menaxheri i mposhtur, Phil BroWn.

“Duhet të them se ai është njëri prej sulmuesve më të mirë në botë. Rooney është futbollist, i cili është në gjendje të shndërrojë një gjysmë rast në një rast të shkëlqyeshëm. Kur e shihni në një formë të tillë, atëherë sigurisht se është mirë për Anglinë në Kampionatin botëror”, shtoi ai.

Edhe menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson ka lavdëruar sulmuesin e tij. “Ai gjithmonë ka dashur të zhvillohet si golashënues dhe ka bërë disa përfundime të shkëlqyeshme të aksioneve. Ai gjithmonë ka qenë futbollist kryesor për ne nga momenti kur erdhi në klub. Ai kurrë nuk mbetet anash”, tha Ferguson.