27 janar 2010

Lajme nga Kategoria Superiore e Shqiperis

Tirana 4 ndeshje pa tifozë, Tafaj 1 vit pezullim, Muka s’luan 8 ndeshje

Nuk është mbledhur dot tërë ditën Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, pas disa tentativash, por e ka bërë këtë gjë në orët e mbrëmjes, rreth orës 20.00. Ka analizuar atë që ka ndodhur në dy ndeshjet e javës së 18-të të superligës, konkretisht në Vlorë, Flamurtari-Besa, dhe në “Qemal Stafa“, Tirana-Dinamo. Disiplina e ka dënuar Tiranën të luajë 4 ndeshje pa tifozë. Dënim ka patur edhe për trajnerin Alban Tafaj, që nga pamjet televizive dukej qartë se ka goditur sulmuesin dinamovit Elis Bakaj, ndërsa kapiteni bardheblu, po për të njëjtin veprim të ndaluar, është pezulluar për 8 javë kampionat. 500 mijë lekë gjobë ka qenë masa ndaj presidentit Refik Halili, ngaqë ka bërë deklarata kundër FSHF-së pas ndeshjes, duke thyer kodin e etikës. Sa i takon ndeshjes së Vlorës, Disiplina ka gjobitur Geri Cipin, ashtu si klubin, por edhe ka vendosur që Flamurtari të luajë dy ndeshje pa tifozë. Vendimit të Komisionit të Disiplinës për Tiranën i është paraprirë me një vendim të tijin Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, duke shkarkuar Komisionin e Apelit. Kësisoji, duhet konstituar Apeli i ri, sepse brenda 5 ditësh Tirana ka të drejtën të apelojë dënimet e dhëna nga Disiplina. Më konkretisht, ja vendimet e plota të marra nga Komisioni i Disiplinës.

KOMISIONI I DISIPLINES VENDIM

1. Pranimin e kerkesa te lojtareve:

1. Redi Harka
2. Skender Pashako
3. Elton Veleshnja
4. Blendi Bahuli
5. Florian Peqini
6. Bledian Ceka
7. Andi Lame
8. Aulent Guri
9. Loren Omuri
10. Blerim Allbani

Deklarimin te zgjidhur te kontratave te ketyre lojtareve me KF “Skrapari”, e lenien e tyre lojtare te lire ne baze te neneve 13 e vijues te Rregullores te Statusit dhe Transferimit te lojtarit te futbollit, per shkak te mospermbushjes se detyrimeve kontraktore nga ana e klubit.
2. Lojtari i KF “Tirana” Devis Muka per goditje te kundershtarit ne baze te nenit 26/1, germa “b” te K.D.S. denohet me 8 (tete) ndeshje pezullim dhe 100.000 leke gjobe.
3. Traineri i K.F. “Tirana”, Alban Tafaj, per goditje me grusht te lojtarit kundershtar, ne baze te nenit 25/6 te K.D.S. denohet me 1 (nje) vit pezullim nga aktiviteti.
4. KF “Tirana” per mosmarrje te masave te mjaftueshme te sigurise dhe organizimit te ndeshjes, ne baze te neneve 4, 9, 19 e 24 te K.D.S. denohet me zhvillimin e 4 (kater) ndeshjeve pa pranine e shikuesve dhe 300.000 leke gjobe.
5. Drejtuesi i KF “Tirana”, Refik Halili, per deklarata ne media te cilat kane cenuar personalitetin e zyrtareve te FSHF, ne baze te nenit 24/31 te K.D.S. denohet me 50.000 leke gjobe.
6. Lojtari i KF “Dinamo”, Bekim Kuli, per gjeste fyese dhe provokuese ndaj kundershtarit, ne baze te nenit 26/7 te K.D.S. denohet me 2 (dy) ndeshje pezullim dhe 30.000 leke gjobe.
7. Zyrtari i KF “Flamurtari”, Geri Çipi, per gjeste te dhunshme ndaj arbitrit kryesor, ne baze te neneve 4, 9, 19, 22 e 24/12 te KDS denohet me 6 (gjashte) muaj pezullim nga aktiviteti dhe 50.000 leke gjobe.
8. KF “Flamurtari”, per hyrje ne fushen e lojes te personave zyrtare te klubit pa lejen e arbitrit dhe ne shkelje te rregullave te organizimit te ndeshjes, ne baze te neneve 4, 9, 19 e 24 pikat 14 e 17 te KDS, denohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa pranine e shikuesve dhe 100.000 leke gjobe.
9. Per kerkesen ankimore te KF “Besa”, Komisioni i Disiplines do te marre vendim ne mbledhjen e ardhshme te tij me date 28/01/2010 ora 18.00, pasi te kete grumbulluar te gjitha materialet perkatese te nevojshme dhe te kete degjuar te gjitha palet pjesemarrese ne ndeshjen “Flamurtari” – “Besa”.

Thirret me urgejncë Asambleja e Tiranës

Ndërkohë, pas këtij vendimi, klubi bardheblu ka thirrur asamblenë e tij, e cila do të zhvillohet të martën pasdite në “Tirana Internacional Hotel“. Thirrja me urgjencë e organit më të lartë vendimmarrës te Tirana është bërë në funksion të daljes me një qëndrim unanim të klubit 24 herë kampion, lidhur me padrejtësitë, sipas tyre, që po bën FSHF-ja karshi tyre. Njëherazi, të hënën në mbrëmje, shoqata e tifozëve bardheblu kanë zhvilluar një takim të tyrin, ku kanë vendosur për të nisur protestat para FSHF-së, si reagim ndaj asaj që ata e quajnë padrejtësi ndaj skuadrës së tyre të zemrës.

Cfarë ndodhi në derbin Tirana-Dinamo

“Mos të raftë, që ta harrosh të keqen”. Kjo shprehje e mencur e popullit tonë është materializuar më së miri në dy ditët e fundit në futbollin shqiptar. Ende pa u shuar jehona e asaj që ngjau në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari-Besa, ndoshta akoma pa përfunduar edhe relacionet e sfidës në fjalë në FSHF, është njollosur edhe derbi i kryeqytetit, Tirana-Dinamo. E bashkë me të është damkosur keqas tërë futbolli ynë. Tapeti i blertë i ndërkombëtarit “Qemal Stafa”është kthyer në njëfarë ringu, ku lojtarët nuk janë goditur me grushta, por kokë me kokë. Aq sa Bakaj i Dinamos ka patur nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, pasi koka e fashuar kishte pësuar një hematomë të madhe, sipas mjekut të Dinamos, Pertef Rusi. E si të mos mjaftonte kjo, dalja e sulmuesit dinamovit nga dhomat e zhveshjes së stadiumit është bërë me eskortë, me katër-pesë forca policore civile, për të evituar cdolloj incidenti jashtë. Sepse situata ka qenë aq e tensionuar, sa nuk mund të mbahet mend në stadiumet shqiptare, e jo më mu në zemër të kryeqytetit. Vetë fakti se të pranishëm në mjediset e “Qemal Stafës”, pas ndeshjes, kanë qenë duke u marrë me sigurimin e rendit drejtuesit e lartë të policisë së shtetit, Agron Kolici dhe Tonin Vocaj, tregon për “produktin” që ka prodhuar ky derbi. I cili, në të vërtetë, ka patur aktorë më vete edhe gjyqtarët e ndeshjes. Që janë cilësuar nga drejtuesit e Tiranës si shkaktarët e gjithckaje që ndodhi, me veprimet e tyre të njëanshme. “Futbolli vdiq, kampionati le të luhet vetëm për formalitet!” Kjo deklaratë e presidentit të Tiranës, është alarmi më i madh, ku “shfaqjet” e Vlorës dhe “Qemal Stafës” nuk të lënë asnjë mundësi për ndërdyshtje apo shumë interpretime. Kampionati i superligës është futur në një qorrsokak, madje të rrezikshëm, ku duket se po vihet në mëdyshje edhe vetë jeta e lojtarëve. Koka e fashuar dhe plot hematoma e Elis Bakajt, që nxirrej nga stadiumi me një eskortë policësh, për ta dërguar në spital, për të bërë diagnostikimin e duhur, është akuza më domethënëse e situatës krejtësisht të pazakontë në futbollin tonë. Dhe të mendosh se jemi në fillimin e fazës së dytë, kur shanset për të gjithë janë akoma optimale, si në luftën për titull, ashtu edhe për mbijetesë, cfarë mund të presim në fazën e tretë? Rrethimi i shumëfishtë i dhomave të zhveshjes së lojtarëve, ashtu si holli i stadiumit kombëtar, me dhjetëra forca policie, të cilat nuk kanë lejuar as gazetërat për më shumë se gjysmë ore të hyjnë e të bëjnë punën e tyre, tregon se alarmi është real, mëse i vërtetë.
Shkëkndijat e para të këtij acarimi të skajshëm të derbit janë dhënë me nxjerrjen e kartonit të dytë të kuq për Tiranën, nga gjyqtari Pashaj. Gjatë tërë kohës i kontestuar nga bardheblutë, bashkë me anësorin Ergin Doda. Sipas drejtuesve të Tiranës, një rast të tillë, “fotokopje” të Nallbanit, kishte konsumuar më përpara edhe portieri dinamovit, Kotorri, momentin e penalltisë së fituar dhe kthyer në gol nga Muzaka. Por gjyqtari Pashaj ka nxjerrë vetëm kartonin e verdhë, edhe pse Kotorri ishte lojtari i fundit të Dinamos. Pretendimet e 24 herë kampionëve të vendit ishin se, krejt ndryshe, në rastin e Nallbanit, Bardhyl Pashaj nuk është menduar dy herë, por ka treguar të kuqen. Pas këtij momenti, situata është nxehur jashtë mase. Ka qenë një ndërhyrje nga pas e Kulit të Dinamos, shkaktuar ndaj Mukës, afër vijës ballore të portës së Kotorrit, cka e ka detyruar kapitenin bardheblu të shfryjë nervat. Duke shtyrë kavajasin blu. Ky i fundit ka reaguar, ndërkohë që kokat e të dy lojtarëve kanë provuar se “cila është më e fortë”. Muka është larguar paksa nga “vatra” e tensionit, duke debatuar me Bakajn. Pasi kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin, kapiteni i Tiranës e ka goditur paksa me kohë sulmuesin dinamovit. Menjëherë, gjyqtari Pashaj u nxjerr të dyve kartonin e kuq. Por “dyluftimi” nuk kishte mbaruar ende. Duke dalë nga fusha, konfrontimi vijon më tej, teksa Muka e godet me kokë Bakajn, ndërkohë që ky i fundit shtrihet përtokë për momentin. Tërë stafet e të dyja skuadrave përfshihen në një zënkë masive, ndërkohë që mjaft tifozë hidhen nga shkallët e stadiumit dhe futen në fushë. Po kështu, dhjetëra forca policore shkelin tapetin e blertë për të neutralizuar ndonjë ndodhi të pakëndshme. Nuk mund të bëhet më fjalë për futboll, por për të rënë sa më parë bilbili i fundit i gjyqtarit, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund këtij derbi të kthyer në absurd. Ankthi spostohet në dhomat e zhveshjes, kur dhjetëra forca policore janë të angazhuara për të garantuar qetësinë. Aq sa nuk lejohen të hyjnë as gazetarët, për të marrë informacionet e pasndeshjes. Gjithsesi, pas rreth gjysmë ore nga mbarimi i ndeshjes, situata është “ftohur” dhe kështu, lojtarët e të dyja skuadrave dalin nga stadiumi, për t’i dhënë kështu mundësinë edhe medias të kryejë punën e vet. Nëse trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muca, e ka konsideruar të merituar fitoren e tij, në kampin bardheblu akuzat vërshojnë lumë. Sidomos ndaj sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, shefit të sektorit të garave dhe shefit të gjyqtarëve në FSHF, të pranishëm në vendngjarje, të cilët, të tre, përvec policisë, janë parë në rresht te dera e dhomës së gjyqtarëve, si duket edhe ata në mbrojtje të tyre. Sepse acarimi i pjesës bardheblu karshi tyre nuk njihte limite. Ka folur trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, bashkë me presidentin Refik Halili. I pari e ka konsideruar turp, që një skuadër, Dinamo, sipas tij me brekë nëpër këmbë, të favorizohet kaq hapur nga të gjithë, që të shkojë e qetë drejt titullit kampion, ndërsa i dyti i ka vlerësuar si “hajdutë” të gjithë drejtuesit e futbollit shqiptar. Me të cilët, ka nënvizuar Halili, do të ballafaqohet në Prokurori, për shumë dosje, të cilave nuk u ka vënë “emër”.
Në këtë mënyrë, derbi i shumëpritur i kryeqytetit është kthyer në damkosjen e futbollit tonë, për vetë mënyrën si u zhvillua, për incidentet që përcolli dhe tensionin e lartë brenda caqeve të një stadiumi, që jo vetëm tejkaluan ndodhitë e Vlorës një ditë më parë, por duhet ta kesh memorien shumë të freskët, që t’u gjesh krahasim.
Po cfarë “prodhoi” derbi në fjalë, vec tensionit maksimal dhe dhunës, si futboll të luajtur? Ndeshja u “skuq” që në minutën e 7-të, kur mbrojtësi i Tiranës Ditmar Bici u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë bardhlutë me 10 lojtarë për pjesën tjetër të ndeshjes. Dukej se u përsërit e njëjta skenë si e takimit të fazës së parë, kur dhe në atë takim të humbur nga Tirana, po 2-1 (java 7), pikërisht në debutimin në bankinë të trajnerit Alban Tafaj, u ndëshkua me karton të kuq, sulmuesi bardheblu Migen Memelli, i rikthuer pas një dëmtimi disamujor.
Në minutën e 45-të, Gjergji Muzaka fiton një penallti, duke e shndërruar po vetë në gol, e duke mbyllur pjesën e parë në avantazh. Pjesa e dytë është një maskaradë e vërtetë. Në minutën e 67-të, gjyqtari Bardhyl Pashaj ndëshkon me të kuqe edhe portierin bardheblu, Nallbanin, pas një ndërhyrjeje të parregullt jashtë zone. Goditja e dënimit ekzekutohet nga Bakaj dhe me kokë, Malakarne barazon rezultatin. Tre minuta para përfundimit të lojës, Bakaj shënon golin e dytë dhe të fitores për blutë.

FSHF dënon dhunën në fushat shqiptare

Federata Shqiptare e Futbollit, e shqetësuar për aktet e dhunës që janë shfaqur në ndeshjet e javës së 18 - të Superligës, të cilat, pavarësisht mbarëvajtjes së mirë së aktivitetit, kërkojnë që të prishin imazhin e futbollit shqiptar, deklaron:
1. Federata Shqiptare e Futbollit dhe i gjithë komuniteti futbolldashës, dënon aktet e dhunës në fushat shqiptare. Dënon shkeljet e Rregullores dhe aktet e dënueshme që s’ knë asgjë të përbashkët me zhvillimimin normal të lojës.
2. Dënon ngjarjet në në fushën e stadiumit “Flamurtari”, ku fusha është invaduar nga zyrtarë të klubit dhe drejtues të Bashkisë së Vlorës.
3. Dënon ngjarjen e rëndë të ndodhur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, gjatë ndeshjes Tirana-Dinamo, ku pas konfrontimit mes futbollistëve dhe drejtuesve të të dyja skuadrave, në fushë kanë zbritur edhe tifozë që kanë shkatërruar gjithçka që mund të mbetej nga një ndeshje futbolli.
4. FSHF, i bën thirrje të gjithë faktorëve që ndikojnë në lojën e futbollit që të japin kontributin e tyre, që ajo të zhvillohet sa më mirë dhe në mënyrë sa më cilësore. Me kualitet, respekt dhe “Fair Play”
5. I bën thirrje forcave të policisë, organizmave shtetërore dhe të gjithë atyre faktorëve që kontribojnë për të mirën e futbollit, që të japin më të mirën e tyre për zhvillimin e lojës dhe për të siguruar mbarëvajtjen e garës.
6. FSHF, është e vendosur që nëpërmjet komisioneve dhe organizmave të saj, të dënojë të në mënyrën më të ashpër, aktet e dhunës dhe t’u hapë atyre, dënimin e merituar në bazë të Rregulloreve dhe Ligjeve të Futbollit.

Komiteti Ekzekutiv shkarkon Komisionin e Apelit

Komiteti ekzekutiv i FSHF-se eshte mbledhur te henen dhe ka diskutuar mbi situaten e fundit ne futbollin shqiptar, ku dhuna ka dale hapur. Lidhur me ngjarjet e fundit ne ndeshjet e kampionatit kombetar, Komiteti Ekzekutiv ka dale me kete deklaratë: “Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, është mbledhur sot më datë 26.01.2010, në mënyrë urgjente për të analizuar ngjarjet e ndodhura së fundi në ndeshjet e javës së 18, të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore. Pasi është njohur me situatën pas raportimeve të sektorëve përkatës, të cilët mbëmë në orët e vona janë mbledhur urgjentisht në FSHF nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, dhe kanë përgatitur një raport të hollësishëm për ngjarjet, Komiteti Ekzekutiv vendosi:
1. Të dënojë veprimet e dënueshme të ndodhura në fushën e Vlorës gjatë ndeshjes Flamurtari – Besa dhe ato gjatë ndeshjes Tirana – Dinamo, zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.
2. I kërkon Komisioneve të Disiplinës dhe Apelit, të jenë sa më rigorozë dhe profesionalë dhe të japin vendime të ashpra konform rregulloreve, për shkelësit e tyre dhe për ata që prishin imazhin e lojës.
3. T’i bëjë thirrje të gjithë opinionit futbolldashës, që të bashkohet me shqetësimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, për aktet e dhunës dhe shkeljen e rregullores së lojës, ndodhur në ditët e fundit.
4. T’i bëjë thirrje të gjitha klubeve, anëtarëve të saj dhe faktorëve të tjerë, që ndikojnë në mbarëvajtjen e lojës, të mos nxisin dhunën por të mbështesin dhe inkurajojnë futbollin e ndershëm dhe Fair Play.
5. T’i kërkojë sektorëve përkatës në FSHF, delegatëve, vëzhguesve dhe gjyqtarëve, që të jenë të kujdesshëm, seriozë dhe veçanërisht të rreptë në zbatimin e “Rregulloreve të veprimtarive të aktiviteteve kombëtare”.
6. Fton të gjitha organizmat shtetërore dhe në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit, që të bashkohen dhe mbështesin përpjekjet për ta ruajtur futbollin sa më të pastër, nga fenomenet që e pengojnë zhvillimin e tij.“

Vendimet e Komitetit Ekzekutiv:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, është mbledhur sot më datë 26.01.2010 dhe ka marrë këto vendime:
1. Të dalë me një deklararatë publike për ngjarjet e javës së 18 të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore.
2. Shkarkon Komisionit e Apelit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
3.Të mblidhet përsëri, brenda kësaj jave, për të vijuar me anlizën e ngjarjeve të dhunshme dhe masat për mospërsëritjen e veprimeve të tilla të dënueshme.

Ndeshja e Vlorës tregohet si barceletë në Itali

Përfytyroni Rozetin që vërshëllen për një 11-metërsh në favor të Romës në derbin me Lacion në minutën e 88-të, pas një aksioni të dyshimtë. Rezultat është mbërthyer në shifrat 0-0. Shpërthejnë polemikat në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Por, papritur, në “Olimpiko” pllakos heshtja. Presidenti i Lacios, i sapoemëruar kryetar i Bashkisë së Romës, braktis tribunën “VIP” dhe niset i qetë, i pashqetësuar, me hap perandori në zonën e rreptësisë. Toti ndal hapin. Lotito i thërret gjyqtarit dhe me gisht e urdhëron t’i afrohet, i flet në vesh dhe më pas largohet. Rozeti e heq topin nga pika e bardhë dhe e vendos në këndore: ka ndërruar vendim, nuk është më 11-metërsh, por goditje këndi…
Nuk është një barceletë. Po të mos ishte e tillë te ne, do të flitej për tri breza. Është ajo që ka ndodhur në të vërtetë në Shqipëri. Dëgjoni pak. Sepse, në këtë rast, kjo kronikë është e vërtetë, jo e stisur. Ose më mirë të themi, stisje reale. Ja çfarë ka ndodhur në të vërtetë: faull me dorë në zonën e rreptësisë, gjyqtari akordon goditje këndi dhe më pas 11-metërsh, por sërish ndërron vendim, e kthen në goditje këndi. Këtë radhë i bindur nga kryetari i Bashkisë ku zhvillohet ndeshja. Bëhet fjalë për ndeshjen e kategorisë superiore shqiptare, Flamurtari-Besa, ku gjyqtari kryesor, Remzi Sadiku, ka ndërruar mendje tri herë. Diferenca me kronikën imagjinare të Lacio-Roma është në minutën kur ka ndodhur ngjarja (minuta 43-të dhe 88-të). Sipas informacioneve të shtypit shqiptar, 2 minuta para përfundimit të pjesës së parë, pas një goditjeje me kokë të lojtarit të Besës, topi ndalet me dorë nga mbrojtësi vendës, kur rezultati ishte në favorin e Flamurtarit. Në fillim gjyqtari akordon goditje këndi, por pas protestave të miqve dhe konsultave me anësorin jep penallti. Në çast hapet qielli: në fushë zbret presidenti i Flamurtarit, njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili flet për disa çaste me gjyqtarin kryesor dhe ky i fund kthehet në vendimin e parë. Në këtë pikë, lojtarë te Besës kanë braktisur fushën para përfundimit të pjesës së parë. Pjesa e dytë është karakterizuar nga tensioni i lartë. “Kjo që ka ndodhur është qesharake dhe e turpshme,” - është shprehur trajneri i Besës, Shpëtim Duro. Ndeshja përfundoi 1-0.