21 tetor 2009

Vermaelen: Barazimi duket si humbje

Mbrojtësi i Arsenalit, Thomas Vermaelen, thotë se barazimi 1-1 ndaj AZ Alkmaar është duke u ndjerë si humbje nga topçinjtë.
Anglezët dukej se e kishin nën kontroll takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve pasi kapiteni Cesc Fabregas i kishte dhënë avantazhin ekipit mysafir pas vetëm gjysmë ore.
Por kur kishte përfunduar koha e rregullt e takimit, David Mendes Da Silva prishi gëzimin e topçinjve, duke shënuar golin e barazimit dhe duke ndarë pikët.
“Ne kishim në kontroll ndeshjen, nuk kishte asnjë rast të madh për AZ por në minutën e fundit ata shënuan. Dukej sikur humbje. Por kur jeni 1-0 në avantazh, nuk jeni të qetë, është gjithmonë me rrezik”, ka thënë Vermaelen.
Vermaelen po ashtu ka thënë se Arsenali kishte një penalti të mohuar ndaj Carlos Vela.