20 tetor 2009

Van der Sar: E ardhmja mund të presë

Edvin van der Sar është i vendosur të shtyjë për më vonë diskutimet lidhur me të ardhmen e tij, ndërsa do të përpiqet të ndihmojë Mançester Juanjtid në arritjen e objektivave të sezonit. Portieri veteran holandez ka bërë paraqitjen e tij të parë në këtë sezon kundër Boltonit, ku ka neutralizuar një gjuajtje të rrezikshme nga Geri Kahill në minutat e fundit të takimit, duke i siguruar Mançesterit tri pikët që i ka rikthyer ata në vendin e parë në kampionat. Siguria që jep ai në portë ka qenë në kontrast me disa nga paraqitjet e bëra nga zëvendësuesi i tij Ben Foster, i cili gjatë dy muajve të fundit ka bërë shumë pak për të bindur Sër Aleks Fergusonin që të përjashtojë Van der Sarin nga formacioni titullar. Por Ferguson synon ta mbajë në “Old Traford” edhe për një vit tjetër, një vendim që ndoshta do të merret në fundin e dhjetorit. Van der Sar nuk nxiton për të nënshkruar një kontratë të re, dhe për momentin ai po shijon rikthimin e tij. “Qëllimi im kryesor ka qenë të rekuperohem”, ka thënë ai. “Unë kam bërë një operacion në gishtat e mi gjatë verës dhe është dashur të kalojë pak kohë para se unë të prekja përsëri topin. Momenti kur mund të rikthehesh në stërvitje është një çlirim. Kjo është gjëja që të pëlqen të bësh më shumë. Kjo më ka munguar shumë kur kam qenë i dëmtuar, për këtë arsye unë nuk mendoj për të ardhmen, por vetëm që të luaj dhe ta shijoj plotësisht rikthimin”.