Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) kanë zgjedhur ta ndjekin një strategji të gabuar për çështjen e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.
Në vend të betejës dhe debatit të hapur, ata preferojnë ta heshtin temën më të ndjeshme që po e përcjell sportin në vend, sidomos prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurtin e viti 2008.
Kreu i futbollit kosovar, Fadil Vokrri, mendon se “nuk duhet të flitet” për ndërkombëtarizimin, ndërsa udhëheqësit e klubeve mendojnë se ky është një gabim i madh dhe se duhet bërë të kundërtën: të flitet dhe të veprohet sa më hapur dhe sa më shumë.
Drejtuesit e FFK’së, off the record, pohojnë se angazhimi i tyre për këtë çështje është tepër i madh, por besojnë se nuk duhet të diskutohet publikisht – me arsyetimin se “kundërshtarët e Kosovës” mundohen t’u prishin punë rreth anëtarësimit në UEFA dhe FIFA.
“O magar, o magar...”.
Kjo është fjalia e Kryetarit të FFK’së, Fadil Vokrri.
Ky reagim i tij, përveç tjerash edhe fyes, ka ardhur pas një pyetjeje që gazetari i Sportiv, në konferencë për media, të martën, ia kishte drejtuar Lilian Thuram.
Futbollisti francez, i cili në Kosovë ka zbritur për ta promovuar luftën ndaj diskriminimit dhe racizmit, ishte pyetur – sa mund të ndihmonte ai në ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.
Kritikën e parë, Vokrri e ka marrë vetëm pak çaste pasi ka përfunduar takimi me mediat, e ajo i ka ardhur, ndonëse duke buzëqeshur, nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri.
“Mirë ishte mirë... Edhe vetë do t’i themi”, i ka thënë atij Ministri Beqiri, duke aluduar se edhe institucionet të kërkojnë nga Thuram që ta ndihmojë ndërkombëtarizmin e futbollit kosovar.
A është kjo frikë, apo thjesht mosdije e FFK’së?
Drejtuesit e klubeve kosovare mendojnë se çështja e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar, duhet të bëhet e madhe, e jo të heshtet.
Kreu i Kampionit të Kosovës, FC Prishtina, Remzi Ejupi, thotë se drejtuesit e FFK’së edhe ashtu nuk kanë se çfarë të tregojnë rreth ndërkombëtarizmit.
“Drejtuesit e FFK’së duhet të rrinë në bisht të aeroplanit. Ata duhet të lobojnë nëpër shtetet të cilat e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Ejupi, për Express.
Por, ai mendon se FFK nuk ka as kapacitet administrativ të zhvillojë negociata me institucionet ndërkombëtare, siç janë FIFA dhe UEFA.
“Unë kam respekt për Fadil Vokrrin, si një lojtar i madh. Por, njeriut nuk bën t’i ngarkohet në shpinë më shumë se që mund të bartë”, është shprehur ai.
Remzi Ejupi nuk është i vetmi që mendon kështu.
Kritik është edhe Trajneri i Trepçës ’89, Afrim Toverlani, i cili tërheq vërejtjen se çështja e ndërkombëtarizmit assesi nuk bën të heshtet.
“Duhet të rrehet tupani që po e dëshirojmë ndërkombëtarizimin, e në asnjë mënyrë të mbahet fshehtë, pasi që Kosova tashmë është shtet i pranuan nga shumë vende”, ka thënë Toverlani, për Express.
Ai mendon se është e paarsyeshme frika nga Serbia.
“Nuk duhet t’u frikësohemi bllokadave nga Serbia, por duhet që me këmbëngulje të trokasim në të gjitha dyert për ndërkombëtarizmin e sportit, në veçanti të futbollit. Në të vërtetë, duhet të kërkojmë mbrojtjen e ligjshmërisë, të drejtave të njeriut të të gjithë sportistëve tanë. Nuk duhet të heshtim ndaj diskriminimit të futbollit tonë. Nuk kemi pse të fshihemi”, ka deklaruar Toverlani.
Ai konsideron se edhe politika kosovare duhet të bëjë me tepër dhe t’i dëgjohet zëri për sportin, në takimet që ata kanë me homologët e tyre nga shtete të ndryshme.
E Nënkryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Musa Selimi, nuk po i pëlqen aspak mënyra se si po rrjedhin ngjarjet rreth ndërkombëtarizimit.
Ai, thjesht, nuk sheh që diçka konkrete po lëvizë.
“Nuk po shoh kurrfarë iniciative të mirëfilltë drejt ndërkombëtarizimit. Thjesht, të gjithë jemi në gjumë. Të gjithë ne duhet të zgjohemi nga ky gjumë dhe të ngrehim zërin shumë lart dhe ta kërkojmë të drejtën tonë për t’u ndërkombëtarizuar. Nëse vazhdojmë kështu, edhe ndërkombëtarët do të thonë: ‘Le se këta janë pajtuar me mospranim’. Nuk duhet të frikësohemi nga Serbia, sepse ata do të mundohen të na pengojnë, e ngritëm ose nuk e ngritëm zërin”, ka thënë Selimi, për Express.
Kreu i FFK’së, Fadil Vokrri, mund të vazhdojë që sërish ta parapëlqejë heshtjen publike për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.
Por, një gjë është e sigurt: ky është një gabim i madh i tij.