23 tetor 2009

I lumtur në Koblenz

Futbollisti kosovar, Shqipron Skeraj, si duket po i kalon momentet më të mira të karrierës së tij në TUS Koblenz, klub ky i cili garon në Bundesligën 2 gjermane.
Skeraj qe transferuar në këtë skuadër, gjatë afatit kalimtar të verës nga Greuther Furth, ekip ky i cili po ashtu garon në Bundesliga 2.
Skeraj thotë se në Koblenz gjithçka është fenomenale. “Po ndihem shumë rehat këtu. Qyteti është i mrekullueshëm. Gjithçka është fenomenale”, ka thënë Skeraj për ueb-faqen zyrtare të klubit.
Mirëpo, aktualisht Koblenzi po përjeton një krizë të rezultateve. Pas nëntë xhirove të zhvilluara, kjo skuadër gjendet në vendin e 16-të të tabelës, me vetëm gjashtë pikë të tubuara. Por, ish-futbollisti i Lirisë dhe Prishtinës beson se shumë shpejt ekipi i tij do ta tejkalojë këtë krizë.
“Do ta tejkalojmë krizën sa më shpejt që është e mundur. Ne jemi në një krizë të vogël, por kemi fuqi për ta mundur çdo kundërshtar. Prandaj, unë nuk jam fare i shqetësuar me këtë krizë”, ka shtuar ai.
Përveç Skerajt, në Koblenz luajnë edhe Almir Murati, Renaldo Rama, Njazi Kuqi, Shefki Kuqi dhe Ervin Skela. Ky i fundit, është përforcimi i fundit i Koblenzit, të cilin Skeraj e quan si të qëlluar.
“Me Ervinin ne jemi më të fortë. Kjo është pa edhe në ndeshjen e fundit ndaj Ahlen. Ai mund të na ndihmojë në çdo rast. Po ashtu, ai na ndihmon me idetë e tij, edhe para ndeshjes”, ka thënë Skeraj.
Skeraj ka fituar edhe besimin e trajnerit Uwe Rapolder. Prej nëntë ndeshjeve të zhvilluara, kosovari ka luajtur shtatë herë. Kështu, ai në Koblenz po ka hapësirë dukshëm më të madhe për të luajtur, krahasuar me paraqitjet e tij tek Greuther Furth.Prandaj, Skeraj ka thënë se do të mundohet që besimin që ia ka dhënë trajneri, t’ia kthejëme lojëra të mira.
Të premten, Koblenzi do të ballafaqohet me Greuther Furth, në kuadër të garave kampionale në Bundesliga 2. Kjo ndeshje do të jetë e veçantë për Skerajn, pasi luan kundër ish-skuadrës së tij, në të cilin ai thotë se është zhvilluar si futbollist.
“Po, kjo ndeshje do të jetë e veçantë për mua. Koha ime në Greuther Furth ka qenë e mrekullueshme. Aty nuk kam pasur hapësirë të madhe për të luajtur, sepse kam luajtur vetëm në pesë ndeshje kampionale. Por, tek ai ekip jam zhvilluar si futbollist dhe kam fituar eksperiencë. Prandaj, unë jam shumë mirënjohës për Greuther Furthin”, ka pohuar “Shippo”.
“Greuther Furth është ekip shumë i fortë. Por me punën në grup që kemi bërë ne, dhe me pak pasion, ne mund të fitojmë atje. Ne duam t’i fitojmë tri pikë në këtë takim”, përfundoi ai.