26 tetor 2009

Hoxha kushtëzon Turkun

Skuadra finlandeze, TPS Turku ka shprehur gatishmërinë që ta mbajë Yll Hoxhën, në skuadër edhe për një vit.
Mesfushori prishtinas, në fillim të këtij viti nga FC Prishtina ishte transferuar te klubi nga elita e futbollit finlandez, me të cilët kishte firmosur vetëm për një sezon.
Por me paraqitjet e mira në Veikkausliiga, Hoxha ka shtyrë drejtuesit e TPS Turku që t’i bëjnë ofertë edhe për sezonin e ardhshëm. Mirëpo oferta e finlandezëve, me kushte të njëjta, është e papranueshme për kosovarin.
“TPS Turku më ka ofruar sërish kushte të njëjta për ta vazhduar kontratën edhe për një vit. Por, unë nuk e kam pranuar atë ofertë. Unë i kam kërkuar disa kushte më të mira krahasuar me ato që i kisha deri më tani. Nëse TPS Turku i pranon kushtet të cilat i kam kërkuar unë, atëherë do ta vazhdoj kontratën edhe për një vit. Por, nëse nuk i pranon kushtet e mia, atëherë nuk mund të qëndroi aty”, ka deklaruar Hoxha për Express.
Përveç TPS Turku, interesim për 21-vjeçarin kanë shprehur edhe disa skuadra nga Bundesliga 2 gjermane.
“Kam marrë oferta prej disa klubeve nga Bundesliga 2, për t’u provuar në to gjatë muajit dhjetor. Nëse shkoj për t’u provuar, atëherë jam i bindur se edhe do të mbes për të luajtur atje. Në Gjermani është mirë për të luajtur dhe kam shumë dëshirë, sepse kushtet janë fantastike”, theksoi ai, i cili nuk deshi t’i bëjë publikë emrat e ekipeve gjermane të interesuara për të.
TPS Turku ka arritur që këtë sezon të zërë vendin e tretë në elitën e futbollit finlandez, derisa Hoxha është shprehur i kënaqur me paraqitjet e tij. Ish-futbollisti i FC Prishtinës nuk e ka përjashtuar mundësinë që një ditë të kthehet në futbollin e Kosovës për të luajtur.