26 tetor 2009

Gripi i derrave shtyn Marsejë-PSG

Federata ka pezulluar takimin e planifikuar për dje, pasi tre lojtarë të PSG-së janë infektuar me A1N1
Ndeshja e Paris Sën Zhermenit në Ligën 1 kundër Marsejës, që do të luhej mbrëmë, ëhstë shtyrë për shkak të shpërthimit të gripit të derrave te klubi kryeqytetas. Ludovik Zholi dhe Mamadu Sakho u diagnostikuan me virusin në fjalë një ditë para ndeshjes, por konfirmimi i një rasti të tretë bëri që Liga 1 të ndërhynte. Dy anëtarë të bordit të trajnerëve të PSG-së kanë simptoma të gripit të derrave. Skuadra e PSG-së është vënë në regjim karantine për 72 orë për të parandaluar përhapjen e infektimit të lojtarëve të tjerë dhe të kundërshtarëve si dhe për të shmangur komplikimet te lojtarët e sëmurë. Presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit në Francë, Frederik Tiriez, ka thënë: “Në emër të LPF-së dua t’u kërkoj falje tifozëve, publikut dhe kompanive të transmetimit të ndeshjeve. Eshtë e qartë që shëndeti i lojtarëve është prioriteti ynë.” Data e zhvillimit të kësaj ndeshjeje nuk është caktuar ende. PSG-ja dhe Marseja kanë rivalitetin më të madh në Francë dhe shtyrja e kësaj ndeshjeje do të jetë pritur keq nga tifozët e të dyja skuadrave. Marseja do të mund të kapte vendin e tretë nëse fitonte, ndërsa PSG-ja e vendit të 12-të do të kishte rregulluar pak sezonin e vet të dobët deri tani.