01 tetor 2009

Berluskoni: Ky Milan, më bën të vuaj!

Padroni Silvio Berluskoni në fillim e cilëson skuadrën “si shkatërrim”, pastaj korrigjon shprehjet
Të martën ishte një ditë speciale për Silvio Berluskonin. Kryeministri i Italisë dhe padroni i Milanit njëkohësisht ka festuar 73-vjetorin në Abruco, ku ka dhuruar shtëpi të reja në një nga vendet më të goditura të tërmetit të 6 prillit që shkoi. Një moment i veçantë dhe i lumtur, që gjithsesi nuk ka larguar nga mendja e Berluskonit, problemet që po përjeton skuadra e tij e futbollit.
Është e kotë të thuhet që pas shitjes së Kakàsë dhe merkatos “me dietë”, paraqitjet e kuqezinjve kanë pasur një rënie të ndjeshme dhe është vetë padroni që e pohon këtë me një batutë: “Ky Milan është një shkatërrim, - tha Berluskoni, që duke e kuptuar ndoshta që e teproi pak, korrigjon menjëherë. - Është një skuadër që më bën të vuaj mua dhe tifozët. Është një moment i vështirë, por futbolli funksionon edhe kështu, jam i bindur që do të kalojë, pastaj llogaritë bëhen në fund. Leonardo? Është akoma shpejt për të diskutuar mbi të ardhmen e tij”.
Megjithatë, për të zbutuar disi ndonjë polemikë me tifozët dhe vetë skuadrën, Berluskoni ka saktësuar pak më vonë se nuk ka thënë asnjëherë se Milani “është një shkatërrim. Skuadra nuk po përjeton një fazë pozitive, edhe pse mbetet e para në botë. M’u bë një pyetje “nëse është një shkatërrim” dhe unë thashë që këto ditë nuk janë periudha që po na jep më shumë kënaqësi. Si zakonisht shtypi bën profesionin e tij dhe kërkon gjithnjë tituj”, - nënvizoi Berluskoni.
Fjalë jo shumë të rënda ato të “Kavaljerit”, i ndërgjegjshëm që gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Jemi vetëm në fillim të sezonit, por klubi kuqezi duket që tani plot me shqetësime dhe i gjori Leonardo nuk duket aspak njeriu i duhur për t’i dhënë drejtimin e duhur dhe ridhënë besim grupit. Këtu lind pyetja: nëse ky Milan i ngadaltë dhe i përgjumur që bën të vuajë edhe Berluskonin, i cili e ka ndërtuar, çfarë duhet të thonë atëherë tifozët kuqezinj…”.
GALIANI MBRON “SENATORËT” - Adriano Galiani kthehet te momenti i vështirë në kampionat dhe atij që i thotë se Interi e Juvja kanë ndryshuar shumë në vitet e fundit, ndërsa Milani mbetet gjithnjë i lidhur me lojtarët e vet “historikë”, i përgjigjet kështu: “Nëse te Milani luajnë akoma elementë që kanë qenë në fushë edhe në Mançester, - tha numri dy i kuqezinjve, - ka dy motive. Para së gjithash, sepse që atëherë, këta lojtarë na dhanë një tjetër Champions, na nxorrën në një finale tjetër, një gjysmëfinale dhe një çerekfinale. Nëse pas këtyre viteve, ndoshta pas Athinës 2007, do të kisha provuar vetëm të shisja njërin prej Gatuzos, Pirlos e Ambrozinit, shtypi nuk do të m’i kishte kursyer kritikat dhe akuzat. Për të mos folur për reagimin e tifozëve tanë që vetëm mund ta imagjinosh”.
Pikërisht kundër Barit, Leonardo u besoi 7 lojtarëve që ishin edhe në finalen e 2003-it në Mançester, ndonëse që atëherë kanë kaluar më shumë se 6 vjet!