Futbollisti argjentinas, Huan Sebastian Veron ka folur për mundësinë që Argjentina të mos kualifikohet në Botërorin 2010. Veron ka thënë se ekziston mundësia reale që kombëtarja e tij të mungojë në Botërorin e ardhshëm në Afrikën e Jugut, për herë të parë që nga viti 1970."Kjo mund të ndodh. Gjithçka është e mundshme. Nuk jemi në situatë të mirë, por fatmirësisht edhe më tej gjithçka varet nga ne", ka pohuar Veron. Argjentina ka përjetuar tri humbje të njëpasnjëshme në kualifikimet për Botërorin 2010 dhe momentalisht zë pozitën e pestë në grupin kualifikues të Zonës së Amerikës Latine, me 22 pikë. Kampioni i pesëfishtë botëror, Brazili zë pozitën e parë me 33 pikë dhe së bashku me Paraguain, me 30 pikë, e kanë siguruar pjesëmarrjen në Afrikën e Jugut. Kili zë pozitën e tretë, me 27 pikë, derisa Ekuadori është i katërti me 23 pikë. Katër skuadrat e para sigurojnë direkt pjesëmarrjen në Botëror, kurse skuadra e pestë luan ndeshje balotazhi me skuadrën e katërt në renditje në grupin kualifikues të Zonës së KONKAKAF-it. Veroni është futbollisti i parë argjentinas, i cili ka folur për problemet që ekzistojnë në kombëtaren e Argjentinës. "Në skuadrën tonë ka futbollistë të shkëlqyer, por përzgjedhësi nuk ka arritur që nga ne të krijoi një skuadër të unifikuar", ka theksuar Veron. Deri në fund të kualifikimeve Argjentina do të luajë kundër Perusë para tifozëve të vet më 10 tetor dhe kundër Uruguait si mysafire tri ditë më vonë.