Agim Cana, babai i mesfushorit të mirënjohur të Kombëtares shqiptare Lorik Cana, është i bindur se Gjykata e Marseilles do ta shpallë të pafajshëm atë në vendimin përfundimtar të saj.
Në fillim të këtij muaji, Agim Cana është dënuar me një vit moskryerje të detyrës së menaxherit nga kjo gjykatë dhe me 100 mijë euro gjobë, për shkak të parregullsive në transferimin e Lorikut nga PSG në Olympique Marseille në vitin 2005.
Mirëpo, Agim Cana beson se në këtë rast drejtësia ndaj tij nuk ka funksionar. Pas ankesës së bërë, ish futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës është i bindur se do të dalë plotësisht i pafajshëm.
“Drejtësia ndaj meje nuk ka punuar në këtë rast. Këtë e vërteton fakti se prokurori vetëm e mori atë vendim dhe menjëherë iku nga Marseja. Unë kam bërë ankesë. Do të duhet një kohë prej rreth dy vjetësh të merret vendimi përfundimtar pas ankesës sime. Unë plotësisht jam i bindur se do të dal i pastër në fund”, ka deklaruar Cana i cili po qëndron në Kosovë.