Presidenti i Napolit mund të zëvendësojë trajnerin. Delio Rosi dhe Valter Maxarri, alternativat
Ditën pas shfryrjes së bërë në dhomat e zhveshjes me rastin e ndeshjes Napoli-Siena, që praktikisht ka sjellë fundin e marrëdhënies me drejtorin e përgjithshëm të klubit Marino, presidenti Aurelio De Laurentis ka filluar të punojë për të ardhmen e Napolit të tij. Në program, zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të ri dhe të një drejtori sportiv të mundshëm, ndërsa situata e Donadonit është ngrirë, i cili do të qëndrojë në vendin e tij deri të dielën e ardhshme, por që më pas mund të zëvendësohet nga Delio Rosi ose nga Maxarri.
Përballja e fundit midis De Laurentisit dhe Marinos do të ndajë përfundimisht rrugët e dy njerëzve, që kanë bërë të mundur rilindjen e Napolit pas periudhës së errët në Serinë C. Roberto Xanxi ose Manuel Xherolin janë emrat, që janë përfolur më shumë për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm, por presidenti i klubit napoletan, duke folur me gazetarët, ka zbuluar qëllimet e tij: kërkon edhe një përgjegjës teknik, për të evituar, sipas tij, problemet që kanë dalë në pah nën drejtimin e Marinos.
Në thelb, drejtori i përgjithshëm është i pari që paguan për situatën e Napolit, pavarësisht nga fitorja me Sienën e arritur falë golave të Hamsikut, por nuk është e thënë që ai të jetë i vetmi. Përkundrazi. Donadoni është zgjedhur pikërisht nga De Laurentis për të zëvendësuar Rejan, i larguar nga detyra gjatë kampionatit të kaluar.
Një zgjedhje për të cilën presidenti ka lënë të kuptohet se është penduar, por që nuk ka ndërmend të bëjë një hap mbrapa, të paktën deri në ndeshjen e radhës, sfidën e 4 tetorit kundër Romës. De Laurentis ka ndërmend të marrë një javë kohë për të reflektuar dhe për të takuar personalisht zëvendësuesit e mundshëm të Donadonit.
Në radhë të parë është Delio Rosi, njeriu që pikërisht Marino ka dashur në drejtimin e Napolit në këtë sezon, pasi Reja ta kishte çuar deri në fund kampionatin e kaluar. Fituesi i edicionit të fundit të Kupës së Italisë kundër rivalit të tij në atë finale. Pikërisht, Maxarri. Alternativa më e besueshme është ish-trajneri i Sampdorias, tekniku që ka ditur të ringjallë Kasanon. Sepse edhe Napoli ka nevojë për një ringjallje të madhe. Përsa i përket lojës, aspektit psikollogjik, bindjes. Të lojtarëve. Por edhe të presidentit.