Komisioni i disiplinës pranë FSHF-së, i mbledhur të mërkurën e 30 shtatorit 2009, ka marrë në shqyrtim të gjitha problemet e javës së pestë, në të dyja kategoritë, superligë dhe kategori e parë, duke marrë edhe vendimet përkatëse. Dy skuadra kanë qenë më të “prekura” nga vendimmarrja e disiplinës, konkretisht Shkumbini dhe Skrapari. Peqinasve u është pezulluar trajneri Kristaq Mile për dy javë dhe është gjobitur me 30 mijë lekë të reja, ashtu sikurse është gjobitur edhe lojtari i Shkumbinit, Capja, me 50 mijë lekë të reja. Sa i takon Skraparit, për incidentet e ndodhura në ndeshjen e javës së shkuar ndaj Bylisit, Disiplina ka vendosur që skuadra në fjalë të luajë dy ndeshje pa praninë e tifozëve, por ka pezulluar edhe dy javë trajnerin Edmond Dalipi. Në mënyrë telegrafike, ja edhe vendimet e Disiplinës, marrë në mbedhjen e fundit të saj
1. Lojtari i KF Shkumbinit, Heltem Capja, për ndërhyrje të ashpër e të rrezikshme ndaj kundërshtarit, por pa krijuar pasoja të rënda për shëndetin e kundërshtarit, dënohet me gjobë 50.000 lekë, në bazë të nenit 26/8 të K.D.S.
2. Trajneri i KF Shkumbinit, Kristaq Mile, për gjeste fyese dhe provokuese ndaj arbitrave dënohet me 2 ndeshje pezullim dhe gjobitet me 30.000 lekë në bazë të nenit 25/5 të K.D.S.
3. Trajneri i KF Skraparit, Edmond Dalipi, për gjeste fyese dhe provokuese gjatë ndeshjes, duke hyrë në fushën e lojës pa leje të arbitrave, dënohet me 2 ndeshje pezullim dhe gjobitet me 30.000 lekë, në bazë të nenit 25/5 të K.D.S.
4. KF Skrapari, për trazirat e ndodhura, si rezultat i mosmarrjes së masave të
mjaftueshme organizative dhe të sigurisë gjatë lojës dënohet me 2 ndeshje pa praninë e shikuesve dhe gjobitet me 100.000 lekë, në bazë të nenit 24/1.a, b të K.D.S.
5. Ekipi U-19 të KF Skënderbeu, për mosparaqitje në ndeshje me ekipin U-19 të Gramshit, e humbet ndeshjen me rezultatin 2:0, në bazë të nenit 23/d të K.D.S.
6. Lojtari i ekipit U-19, Shkëndija e Durrësit, Rubin Met’Hasani, për ofendim të arbitrit të ndeshjes dënohet me 2 ndeshje dhe gjobitet me 5.000 lekë, në bazë të nenit 26/7.
7. Lojtari i ekipit U-19 të Adës, Ludovik Doda, për ofendim të arbitrit kryesor dënohet me 2 ndeshje pezullim dhe gjobitet me 5.000 lekë, në bazë të nenit 26/7 të K.D.S
8. Lojtari i ekipit U-19 të Naftëtarit, Rexhino Rrapushi, për goditje me grusht të arbitrit pezullohet me 1 vit nga aktiviteti futbollistik dhe gjobitet me 200.000 lekë në bazë të nenit 26/3 të K.D.S.