“Emërimi për kryetrajner i Skënder Shengyli është zgjidhje e qëlluar për klubin tonë”, tha Edmond Rugova, drejtor gjeneral i Prishtinës.
Drejtori gjeneral i klubit të futbollit Prishtina, Edmond Rugova, pat premtuar se brenda 24 orëve do të zgjidhet kryetrajneri i ri, një gjë të tillë edhe e bënë realitet. Skënder Shengyli merr timonin e kampionit dhe nga java e 10-të do ta drejtojë skuadrën më të trofejshme në Kosovë, e cila po përjeton krizë të rezultateve. Të hënën pasdite, Besnik Kollari dha dorëheqje nga posti i kryetrajnerit për shkak të rezultateve të dobëta. Pas dorëheqjes së tij, menjëherë vjen Shengyli dhe ka nënshkruar kontratën deri në fund të kampionatit të vitit 2010. Rugova është optimist se kjo krizë e vështirë e rezultateve që ka Prishtina do të tejkalohet se shpejti. “Pas tërheqjes së Kollarit nga posti i kryetrajnerit, si kryesi u ulem dhe me punë intensive menjëherë gjetëm zgjidhjen e çështjes së kryetrajnerit. Kryesia në krye me kryetarin Remzi Ejupi e miratuan emërimin për kryetrajner të Skënder Shengylit, i cili është koleg i imi dhe i gjeneratës së artë të viteve 80-ta. Emërimi i tij kryetrajner është një zgjidhje e qëlluar”, tha Rugova. Shengyli një kohë ka qenë kryetrajner i Ballkanit dhe së fundit drejtor i Shkollës së futbollit “Ballkani” nga Theranda. Ai nuk e ka pasur lehtë të lë këtë detyrë dhe ta marrë detyrën e re. Skënder Shengyli ka thënë se është një nder dhe privilegj të jesh në krye të një klubit më të suksesshëm. “Është nder për mua dhe privilegj që jam në KF Prishtina. Në Prishtinë po kthehem pas dy dekadave, në klubin që kam kaluar pjesën më të mirë të karrierës sime si futbollist. E mora Prishtinën në këto ditë të vështira, por mendoj se kjo krizë është momentale dhe se shpejti do të kalohet. Me drejtuesit e Prishtinës e kam nënshkruar kontratën deri në fund të kampionatit 2010, ndërsa bashkëpunëtorët e mi janë Sami Sërmaxhaj e Ramiz Krasniqi. Prishtina ka potencial, por kriza e rezultateve që ka është normale sepse çdo skuadrës edhe me renome botërore mundte t’i ndodh kjo. Me Prishtinën do të luftojmë për kreun e tabelës, njëherë nuk mundem të them edhe për vendin e parë. Siç e theksova më lartë, Prishtina ka futbollistë cilësorë dhe katër nga ta janë pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Na duhet një fitore për vetëbesim dhe të kthehem në rrjedha normale të rezultateve”, nënvizoi Shengyli. Edmond Rugova shpreson se do të dalin triumfues në sfidën e fundjavës në kryeqytet ku takohen me finalistin e kupës dhe të Superkupës, Hysin nga Podujeva. “Hysi është një skuadër që po tregon formë të mirë, megjithatë në përballje me ta presim shikueshmëri dhe të prezantojmë një futboll cilësorë në këto rrethana të vështira që po përjeton futbolli në përgjithësi i Kosovës”, theksoi Rugova. Kampioni në fuqi, tash për tash renditet në vendin e dhjetë me vetëm dhjetë pikë aq sa ka i parafundit (Gjilani) dhe i fundit (Drenica). Prishtina të gjithë pikë i ka fituar në fushë të veten, duke arritur tri fitore, një barazim, dhe pësuar pesë humbje jashtë fushës së vet.