Disi e habitshme. Juventusi aktualisht ka në letër mbrojtjen më të mirë në Seria A, por ka edhe një numër rekord, katër gola të pësuar në gjashtë javët e para të kampionatit. Kjo tregon se, në realitet, prapavija bardhezi nuk ka qenë jashtëzakonisht e paprekshme. Përkundrazi, ka gabuar shumë. Sikur të mos kishte bërë “heroizma” të përsëritur portieri Xhanluixhi Bufon, Juve do të kishte pësuar më shumë se dyfishi i këtij totali golash. Një pjesë e problemit mund të jetë fakti se deri në tri zgjedhje të para, nga katër mbrojtësit titullarë të Juves, kanë nënshkruar këtë verë. Pra, lojtarët e repartit mbrojtës te Juve nuk janë aklimatizuar aq shumë me njëri‑tjetrin, por njëkohësisht nuk kanë gjetur sinkronizimin e kërkuar në ekip dhe me sistemin si tërësi. Fatmirësisht, e përsërisim, Bufoni e ka shpëtuar disa herë Juven në këtë sezon. Çështja kryesore ka të bëjë me mungesën e mbrojtjes në thellësi. Kundër Kievos, Romës dhe Lacios, trajneri Ferrara ishte në gjendje të përzgjidhte yje të tillë si Fabio Kanavaro, Xhiorxhio Kielini dhe Fabio Groso, pasi ky i fundit arriti nga Lioni. Dhe me këtë mbrojtje, Juventusi pësoi vetëm një gol. Që atëherë Kanavaro ka qëndruar jashtë fushe, i dëmtuar, ndërkohë që në sfidat pasuese kundër Livornos, Xhenoas dhe Bolonjës, veçanërisht në këtë të fundit, prapavija bardhezi ka qenë e hapur dhe shumë e lehtë për t’u depërtuar. Për ta thënë sa më thjeshtë, Juventusi ka nevojë që këta tre lojtarë të luajnë së bashku në të gjitha ndeshjet. Sidomos Kanavaro duket i domosdoshëm në qendër të mbrojtjes, edhe pse 36 vjeç. Për mua, Kielini dhe Legrotalje janë më shumë reaktivë sesa proaktivë. Së fundi, Kristian Molinaro nuk duhet ta përsërisë më gabimin e ndeshjes me Bolonjën, duke mos shtrirë dot këmbën e larguar rrezikun, përndryshe pse duhet të luajë një mbrojtës i tillë te Juve.
Duhet të ndalesh tek të katër repartet e lojës, që nga porta deri në sulm, për të shpjeguar problemet e Milanit, pasi nuk është vetëm një zonë e vetme që ka nevojë për adresim. E tha bukur babai im të dielën në darkë, teksa u shpreh i dëshpëruar nga barazimi pa gola i Milanit në shtëpi, kundër Barit: “Milani duhet të blejë një ekip krejt të ri”. Në të vërtetë nuk është shumë larg realitetit kjo deklaratë. Dy javë më parë i kam bërë pyetjen vetes, nëse ky ishte Milani më i dobët në 25 vjet. Të njëjtën pyetje e kam shtruar edhe si temë sondazhi te “Goal.com”, ku lexuesit ranë dakord në masën 77.5 përqind se ishte i tillë. Nëse Marco Storari ishte ylli kuqezi kundër Barit, nuk është e vështirë të nënkuptohet situata mjaft e vështirë që po kalon Milani. Dikush mund të thotë: Po pse është ky, Milani më i keq në 25 vjetët e fundit? Përgjigjen e dha deri diku ish-trajneri i Sampdorias, Valter Mazzarri, herën e fundit në “Domenica Sportiva”, ku argumentoi se kuqezinjtë nuk janë aq mjaftueshëm atletikë, sa për ta përballuar më ritmin e Seria A. Një vlerësim i dukshëm, por që është evident në çdo repart të Milanit. Plakja e Zambrotës, e Gatuzos dhe e Ambrosinit është evidente, diçka natyrore, e pashmangshme. Po kështu, edhe Inzagi ka vite të tëra mbi supe, pavarësisht se nuk dorëzohet kurrë. Ronaldinjo nuk po jep shenja rikthimi dhe shprese, ndërkohë që Huntelar është krejtësisht i kotë në një rresht, ku ka humbur kontrolli i kohës. Në gjashtë ndeshje, Milani ka shënuar vetëm tre gola. Në terma të thjeshtë, “Milan duhet të blejë një ekip krejt të ri”
Interi dhe mesfusha
E ndërsa problemet kryesore të Juventusit kanë të bëjnë me një “mbrojtje të gënjeshtërt”, tek Interi ato evidentohen me lehtësi në mesfushë. Zikaltrit posedojnë forcë dhe efikasitet në mbrojtje, kanë edhe lojtarë me bollëk në këtë reaprt, por atyre u mungojnë aftësitë teknike dhe krijuese në mesfushë. Në fakt, ky ka qenë një problem në vazhdimësi i Interit, që nga viti 2006, vetëm se deri në këtë verë ka patur në radhët e tij një lojtar të veçantë sulmues, si Zlatan Ibrahimoviç, i cili i kompensonte thuajse të gjitha këto të meta. Dallimi këtë sezon është se, pa suedezin, që ka kaluar te Barcelona, Interi nuk ka mundësi të “prodhojë” një Ibra tjetër, i cili ta mbajë topin dhe të bëjë punën e tij magjike. Me dy sulmues relativisht të shkurtër, Diego Milito dhe Samuel Eto’o, çdo gjë duhet të kalojë nëpër këmbët e mesfushorëve, çka do të thotë se cilësitë krijuese dhe teknike të këtij reparti bëhen edhe më të domosdoshme e të rëndësishme. Kjo e metë është dukur qartë deri më tani, me përjashtim të fitores me Milanin dhe Napolin. Uesli Shnajder është dashur të jetë lidhja mes mesfushës dhe sulmit, por holandezi i ardhur nga Reali nuk ka bindur ende. Është çështje e diskutueshme nëse holandezi është një trekuartist natyror, ndërkohë që të tjerët, që janë pas tij, janë pothuajse ekskluzivisht fitues të topit, por jo ofrues të tij, shërbyes me asiste. Në ndeshjet jashtë shtëpie kjo e metë mund të provojë të jetë një problem serioz për Interin, aq më shumë në Ligën e Kampionëve, ku posedimi dhe shërbimi i topit është shumë i rëndësishëm.