Stevan Jovetic ishte yll i mbrëmjes së të martës, kur shënoi dygolësh ndaj kampionit të pesëfishtë të Evropës, Liverpool. Për futbollistin malazez të Fiorentinës, kjo natë mbetet si më e paharrueshme e jetës së tij.
“Jam mjaft i kënaqur. T’i shënosh Liverpoolit dy gola, është një gjë e pabesueshme. Ishte një natë fantastike, shkoi gjithçka mirë, bile edhe më shumë”, theksoi sulmuesi i ri për televizionin italian Sky.
Për Jovetic, së fundmi kishte shprehur interesim Manchester United, por edhe skuadra të tjera të mëdha evropiane. Sigurisht, ky dygolësh do t’ia ngrit atij vlerën. Kohëve të fundit, ‘JoJo’, siç e quajnë në Itali, ka filluar të krahasohet me legjendën e futbollit italian, Roberto Baggio.
“Unë sikur Baggio? Do më pëlqente të bëhesha një kampion sikur ai, shpresoj që t’ia arrij këtij qëllimi”, shtoi malazezi, i cili këtë sezon ndihet shuam më i qetë karshi një viti më parë.
Ai synon që të vazhdojë me shënimin e golave dhe ta ndihmojë Fiorentinën drejt sukseseve në Itali dhe në Evropë. Malazezi në fund theksoi se për momentin, nuk e ka ndërmend të largohet nga Firenze.