Historia e portierit që duhej të ishte në tribunë. Milani do t’ia rinovojë kontratën edhe për tre vjet
Ishte dikur një portier i katërt që u kthye në i parë dhe ndoshta nuk është i vetmi rast, por ajo e Marko Storarit është një histori speciale. Është historia e dikujt që i ka bërë valixhet gati një milionë herë, që ka këputur ligamentet dhe është ringritur, që ka shkuar në kombëtare kur të tjerët s’kanë pranuar. Marko Storari nuk ka fizikun e një superheroi, por të dielën ndaj Barit fluturonte si “Batman”-i.
Ishte më i miri në fushë dhe tifozët e Milanit janë mësuar me të në këto gjashtë javë kampionat. Për të s’ka më dyshime, ai që u kthye të qëndrojë në tribunë, shpëtoi një Milan të tërë. Si në Livorno, si kundër Bolonjës, kur bëri diçka që u ndodh portierëve të mëdhenj: 85-së minuta që vetëm shikonte, pastaj një nga ato pritje që të djegin duart. Kur bën portierin duhet të mësohesh të presësh edhe momentin. Dhe nëse është për këtë, është një specialist.
XHIRO - Nuk ka pasur shumë fat Storari, edhe tani që është në një moment të artë, pikërisht ndaj skuadrës ka shumë vërshëllima. Karriera e tij është një ecuri torturë. E fillon mirë, pastaj dëmtohet rëndë në gju. Shkon te Mesina, fiton ngjitjen në A. Bëhet një nga portierët specialistë për pritjen e 11-metërshave, por vjen te Milani dhe Milanit nuk i thuhet “jo”. Storari nënshkruan në janar 2007-të, luan kur dëmtohen Dida e Kalac, pastaj zhduket dhe fiton Ligën e Kampioneve si spektator. Rifillon xhiron me Levanten në Spanjë, pastaj Kaljari dhe pastaj në Firence, ku luan vetëm dy ndeshje. Kur kthehet në Milano, në fund të huazimit, duket akoma si turist.
HIERARKI - Sepse nuk ka paqe për një portier që nuk luan, që nuk ka mundësi të spikasë vetëm nëse kolegu i tij dëmtohet, pasi nuk shpreson te rotacioni. Nuk ekziston kjo e fundit për portierët dhe hierarki të tilla vështirë të realizohen, edhe pse ndodh. Shikoni Abiatin, që në këto javë ia ka lënë vendin Storarit: Abiati u bë i famshëm, sepse Sebastiano Rosi pësoi pesë javë pezullim, hyri në fushë dhe nuk doli më deri sa Dida përjetoi momentin e tij të artë. Edhe Abiati ka bërë xhiron e tij në “Botë”, u kthye te Milani një vit më parë dhe nuk e dinte se çfarë e priste. Në të vërtet Ançeloti e dinte se çfarë donte: sajoi rotacionin, por në kokë kishte titullarin, Abiatin.
DYSHIME - Por nuk mbaron asnjëherë për portierët e Milanit. Abiati dëmtohet sërish dhe kërkimi rifilloi. Këtë herë Storari u gjend ne vendin dhe momendin e duhur: zgjidhet kontrata me Kalacin, probleme fizike për Didën, një portier i ri, Roma, i marrë vetëm për të mbushur organikën. Leonardo zgjedh Storarin si numrin dy dhe për momentin është shpërblyer. Por kush e di ç’do të ndodhë pas pushimit të kampionatit, kur Abiati të jetë gati për të luajtur. Megjithatë Storari nuk duhet zgjuar nga “ëndrra” që po përjeton. Nga portier i katërt, në hero.
KONTRATË E RE - Autor i një paraqitjeje fantastike ndaj Barit. E shpëtoi portën katër herë nga goli i sigurt: në fillim ndaj Bonuçit, pastaj ndaj Alvarezit dhe Mexhiorinit dhe në fund ndaj Rivasit. Ja pse në shtëpinë kuqezi po mendojnë t’ia rinovojnë kontratën që i skadon në 2010-ën. Aktualisht merr 500 mijë euro në sezon dhe ideja është ajo e një kontrate 3-vjeçare deri në 2012-ën (kur të jetë 35 vjeç) me 1 milionë euro në vit. “SuperMarko” është gjendur gjithnjë i gatshëm sa herë është thirrur këto vite dhe kjo duhet të jetë mirënjohja e duhur për një portier, që meritonte një tjetër karrierë.