16 shtator 2009

Mukaj: Na ndëshkuan dëmtimet, por edhe sivjet fitojmë ne

Po qëndron prej disa muajsh jashtë fushe për shkak të një dëmtimi në gju, por duke parë edhe situatën në të cilën ndodhet skuadra e tij, mezi pret të zbresë në fushë. Ai është Devis Mukaj, kapiteni i Tiranës, i cili vuan prej disa kohësh shqetësimet e dëmtimeve të vjetra, por që i janë rishfaqur shpesh në periudhën e verës. Numri 10 i bardhebluve e pranon se starti i këtij sezonin nga ana e bardhebluve nuk ka qenë më i miri, por ai beson se periudha "Jo" duket se po kalon dhe shumë shpejt do të rikthehet në fushë Tirana prepotente, e cila do t‘i bindë të gjithë skeptikët se është pretendentja kryesore për fitimin e dy trofeve të kampionatit shqiptar të futbollit. Mukaj nuk luan në një ndeshje që nga takimi i parë për turin e dytë të Champions League kundër Stabaekut në Tiranë, ku edhe u aktivizua për 90 minuta, por doli nga fusha me probleme të shumta. Gjatë gjithë kësaj kohe atij i është dashur ta ndjekë skuadrën si tifoz dhe t‘i përkushtohet rikuperimit sa më të shpejtë. "Kam kaluar një periudhë të vështirë për shkak të dëmtimit. Por tani besoj se jam shumë pranë arritjes së formës së mirë. Do të jem i gatshëm për t‘u aktivizuar me ekipin pas dy javësh". Kapiteni ka lënë kështu të nënkuptohet se do të rikthehet në fushë vetëm për takimin ndaj Apolonisë, duke humbur kështu mundësinë për të qenë në sfidën e rëndësishme ndaj Besës në fundjavë. Mungesa e tij është ndjerë në fushën e blertë, gjithsesi kapiteni i dëmtuar preferon të tregohet modest kur nënvizon se "skuadra ka luajtur mjaft mirë edhe pa të në fushë". Megjithatë ai pranon se Tirana nuk e nisi si duhet këtë edicion dhe për këtë, sipas tij, ndikuan një sërë faktorësh të ndryshëm, të cilët luajnë një rol jo të vogël në performancën e bardhebluve. Sipas liderit të skuadrës së Tiranës, dëmtimet e shumta kanë qenë shkaku kryesor i Tiranës, që nuk e ka nisur si duhet kampionatin. "Këtë sezon nuk e kemi nisur siç duhet sezonin. Sigurisht që nuk kemi më të njëjtët lojtarë që kishim në Champions, pasi disa janë larguar dhe disa të tjerë janë të dëmtuar, e kjo ka ndikuar shumë në lojën e ekipit", pohon vlonjati. Ndërkohë Mukaj shprehet se fitorja ndaj Gramozit ishte më se e merituar dhe se skuadra po konsolidohet nga java në javë. "Por kemi marrë rezultate pozitive dy javët e fundit dhe nëse do të mund të ruajmë ritmin e fitoreve, besoj do bëhet më mirë", shtjellon më tej kapiteni, i cili thekson se me të ardhur në formë, do të japë maksimumin për realizimin e objektivave nga skuadra. Ai beson verbërisht se periudha në vazhdim do të jetë e lavdishme për Tiranën, e cila sipas tij i ka të gjitha shanset për t‘u rishpallur sërish ekipi më i mirë i vendit: "Tirana edhe në këtë sezon do ta fitojë titullin kampion", përfundon Mukaj.