Beqaj kalon dëmtimin 6-mujor: "Ndihem mirë, por më mungojnë minutat në fushë"
Arjan Beqaj, portieri i Kombëtares shqiptare, është rikuperuar plotësisht pas dëmtimit në shpatull, që e mbajti gjashtë muaj larg fushave. 33-vjeçari u kthye në fushë për Anorthosis, duke regjistruar debutimin sezonal me Anorthosis në kampionatin qipriot. "Gardiani" ka falënderuar klubin dhe të gjithë ata persona që i qëndruan pranë gjatë momenteve të vështira dhe vlerësoi fitoren 3-1 përballë Arisit. "Ndihem mirë. Shpatulla është forcuar dhe nuk kam më asnjë problem. Në këto momente më mungojnë minutat në fushën e lojës. Më duhet ende edhe pak kohë që të jem në 100 për qind të formës, sepse nuk aktivizohesha prej një kohe të gjatë", deklaroi Beqaj. "Kam punuar shumë që të rikthehesha dhe mendoj se së shpejti do të më shihni në gjendjen optimale. Kam kaluar një moment shumë të vështirë: të qëndrosh pesë-gjashtë muaj larg fushave, nuk është e lehtë për asnjë lojtar. Por, tashmë gjithçka kaloi dhe rehabilitimi shkoi sipas parashikimeve". Më tej ai foli për tri pikët e Anorthosis: "Përballë Arisit arritëm një fitore të rëndësishme. Edhe pse e pamë veten në disavantazh, gjetëm forca që të përmbysnim rezultatin dhe të merrnim pikët e plota. Jemi një skuadër e re, por kemi besim në kualitetin tonë". Rikthimi i portierit veteran është një lajm shumë i mirë edhe për Kombëtaren e drejtuar nga Josip Kuzhe. Beqaj do të jetë plotësisht i gatshëm për sfidën e fundit eliminatore të Botërorit 2010, më 14 tetor në fushën e Suedisë. Eksperienca e tij do t‘u shërbejë shumë kuqezinjve, të cilët synojnë të ruajnë ecurinë pozitive nën drejtimin e teknikut kroat.